Pas skandalit zyrtarët nuk tregojnë për udhëtimet jashtë shtetit

Artikulli i cili nxori zbuluar ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në lidhje me shpenzimet e larta të akomodimit dhe fluturimeve jashtë vendit, publikuar nga “Faktoje”, mori vëmendje të madhe mediatike.

“Pas kësaj, institucionet të cilat kishin në tryezë, të njëjtën kërkesë u bënë edhe më hermetike se më parë. Ministritë nuk kanë vënë në dispozicion faturat, duke u mjaftuar me dhënien e informacioneve të përcipta”, – shkruan “Faktoje”.

Sa shpenzon një ministër nga Shqipëria, për udhëtimin dhe akomodimin gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit? Nga kjo pyetje e thjeshtë, u nis “Faktoje” për të bërë një verifikim, përmes faturave. Nisma hermetizoi edhe më shumë institucionet që vazhdojnë të refuzojnë një detyrim siç është llogaridhënia dhe transparenca.

Në 8 korrik “Faktoje” dërgoi kërkesa për informacion në adresë të të gjitha ministrive dhe Kryeministrisë. Pyetjet ishin të njëjta dhe kishin të bënin me shpenzimet e titullarit në udhëtimet jashtë vendit.

“Faktoje” priti deri në fund të muajit gusht për përgjigjet megjithëse “Ligji për të Drejtën e Informimit” parashikon një afat për institucionin prej 10 ditësh pune.

Ministria e Drejtësisë ishte e para që ktheu përgjigje duke vënë në dispozicion të gjitha faturat e udhëtimeve të titullarit. Brenda të njëjtës ditë, por disa orë më vonë ishte Ministria e Arsmit, Sportit dhe Rinisë që bëri të njëjtën gjë.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ktheu po ashtu përgjigje, por vetëm për periudhën e zotit Shalsi dhe jo të zonjës Qato (viti 2018). Kjo është edhe arsyeja pse “Faktoje” ende nuk i ka publikuar shpenzimet e kësaj ministrie pa portofol, pasi po pret përgjigjen e plotë, me synimin të kryejë të plotë raportimin e periudhës për të cilën janë kërkuar faturat.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, që drejtohet nga Elisa Spiropali nuk ka koordinator për të drejtën e informimit dhe asnjë kontakt zyrtar apo ëebfaqe dhe kësisoj “Faktoje” nuk kishte ku të niste kërkesën e datës 8 korrik. Megjithatë, pas kontaktit me koordinatorin në Kryeministri, kjo u mor përsipër nga ata.

“Faktoje” punoi disa ditë me faturat e Ministrisë së Drejtësisë dhe publikoi më pas shkrimin për disa nga shpenzimet e larta të akomodimit.

Fill pas kësaj, institucionet të cilat kishin në tryezë, të njëjtën kërkesë u bënë edhe më hermetike se më parë. Që prej atij momenti, ministritë nuk kanë vënë në dispozicion faturat, duke u mjaftuar me dhënien e informacioneve të përcipta, që madje nuk i përngjajnë aspak një informacioni zyrtar, pasi nuk shoqërohen me dokumenta.

“Faktoje” vendosi t’i shkojë deri në fund rrugës proceduriale për këtë çështje dhe pas kalimit të afatit zyrtar për kthimin e përgjigjes (10 ditë pune), u ankua sipas ligjit tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ky është autoriteti që shqyrton ankesat e medias apo qytetarëve kur institucionet nuk u përgjgjen pyetjeve të tyre.

Disa prej institucioneve reaguan, por sërish me përgjigje evazive dhe pa dokumentat e kërkuara, ndërsa disa të tjera vazhdojnë heshtjen.

Institucionet që nuk kanë dhënë asnjë informacion

Gjashtë ministri, ose gjysma e kabinetit qeveritar nuk i kanë kthyer përgjigje kërkesës për informacion të “Faktoje” dërguar që në datën 8 korrik.

Ministri i Shtetit për Diasporën
Kjo është një ministri pa portofol e cila nuk ka kthyer përgjigje për kërkesën për informacion. Si një institucion në varësi të Kryeministrisë, nuk ka një departament finance të vetin, ndaj kjo e fundit na bëri të ditur se do të përgjigjet vetë për shpenzimet e titullarit të kësaj ministrie ashtu si edhe për ministritë e tjera pa portofol.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Dikasteri i Shëndetësisë, ashtu si shumë herë të tjera nuk ka reaguar ndaj kërkesës për informacion të “Faktoje”. Shëndetësia rezulton të jetë një nga ministritë më burokratike, gjatë punës sonë me “Ligjin për të Drejtën e Informimit”.

Ministria e Mbrojtjes
Edhe pse është kontaktuar disa herë nga “Faktoje”, kjo ministri nuk ka vënë në dispozicion asnjë informacion për udhëtimet e titullarit.

Ministria e Financave
Koordinatori për të Drejtën e Informimit në këtë ministri ka njoftuar me e-mail në datën 26 korrik se kërkon më shumë kohë për të shqyrtuar materialin e kërkuar nga “Faktoje”. Megjithatë, redaksia, deri në pothuajse mesin e muajit shtator nuk ka një përgjigje.

Ministria e Brendshme
Edhe pas komunikimeve të njëpasnjëshme ku janë kërkuar sqarime për kërkesën drejtuar saj në 8 korrik, as Ministria e Brendshme nuk ka sjellë përgjigje.

Ministria e Kulturës
Ky institucion ka kërkuar më shumë kohë për të përgatitur materialin pas ankimimit tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Institucionet që kanë dhënë informacion të pjesshëm

Kryeministria
Kryeministria ktheu në 11 shtator një përgjigje për kërkesën, vetëm pas ankimimit tek Komisioneri. Përgjigja ishte e paplotë pasi nuk i përgjigjej konkretisht pyetjeve të “Faktoje”. Kryeministria u mjaftua vetëm me shumën totale të shpenzuar për udhëtimet jashtë vendit, por nuk shoqërohej me ndonjë faturë apo tjetër dokument.

Për periudhën 2018- qershor 2019, sipas përgjigjes që morëm, Kryeministri Rama ka pasur 35 udhëtime jashtë shtetit me një kosto 72,605 euro (përfshirë në këtë çmim edhe shpenzimet për delegacionin, sipas sqarimit të institucionit).

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Kjo ministri solli një përgjigje të pjesshme vetëm pas ankimimit tek Komisioneri. Ministria nuk dha asnjë faturë udhëtimi, por në mënyrë të përgjithshme na informoi për destinacionet ku titullari ka udhëtuar dhe shumën totale vjetore të shpenzuar, 20,892 euro vetëm për titullarin (ish-ministri Gjiknuri dhe pasuesja e tij Balluku).

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
Siç u përmend në fillim të shkrimit, kjo ministri dërgoi të dhënat e shpenzimeve vetëm të ministrit aktual Eduart Shalsi.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ministria e Bujqësisë na vuri në dispozicion (me vonesë) dy tabela që tregojnë udhëtimet e dy ministrave Peleshi dhe Çuçi, por asnjë faturë.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
Kjo ministri reagoi vetëm pas ankimimit të Komisionerit duke dhënë një përgjigje të paplotë dhe të dhëna të përafërta për pyetjet e “Faktoje”.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Ministria në fjalë është mjaftuar vetëm me një listë të udhëtimeve të titullarit për periudhën e kërkuar dhe një total të udhëtimeve dhe shpenzimeve, por përgjigja nuk është shoqëruar me ndonjë faturë.

Po tani?

“Faktoje” u zotua se do të sjellë për publikun të tjera të dhëna për shpenzimet jashtë vendit të Kryeministrit dhe ministrave, duke shërbyer sado pak në ndërgjegjësimin e tyre se në fund ata janë të zgjedhur nga populli dhe i detyrohen atij qoftë edhe një llogaridhënie të thjeshtë.

Redaksia e “Faktoje” do të vazhdojë me këmbëngulje në rrugë ligjore për të marrë faturat për të gjitha ministritë dhe Kryeministrinë, pasi konsideron se nuk ka ndonjë arsye pse këto dokumenta të mos i jepen medias dhe më pas publikut.

Gjatë gjithë punës së saj që nga koha e themelimit, “Faktoje” ka dërguar afro 400 kërkesa për informacion në adresë të institucioneve publike dhe ka provuar dhe treguar publikut që “Ligji për të Drejtën e Informimit” zbatohet pjesërisht dhe me probleme të theksuara.

Para 8 muajsh “Faktoje” testoi 61 bashkitë e vendit me një pyetje të njëjtë dhe vetëm 18 prej tyre kthyen përgjigje në kohë.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje