Sherri mes familjeve Zhapaj e Braçe, 5 të arrestuar, 5 të plagosur

Konflikti nisi në një lokal në Levan dhe përfundoi me përdorimin e armëve në Urgjencën e Fierit. Sherri mes familjeve Zhapaj e Braçe për motive banale. Bilanci: 5 të arrestuar, 5 të plagosur. Krimet e rënda hetojnë ngjarjen

Detaje të reja kanë dalë në skenë nga sherri i nisur në Levan të Fierit mes dy familjeve që më pas përfundoi me plagosjen e 5 personave me mjete prerëse, sende të forta e deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Për çështjen në fjalë kanë folur edhe mjeket. Konflikti ka nisur për motive banale mes familjes Zhapa dhe Braçe ku më pas kanë mbetur të plagosur 4 persona, dy prej të cilëve Gentian Zhapa dhe Aldo Zhapa janë plagosur me sende të forta (kushërinj të parë me njëri-tjetri) dhe janë në pavijonin e kirurgjisë. Ndërsa dy të plagosurit e tjerë me mjete prerëse janë Erlind Muçaj dhe Klajdi Lamaj. Po ashtu nga ky konflikt ka mbetur i plagosur edhe Aleksandër Zhapa (babai i Gentian Zhapës). Aleksandër Zhapa është plagosur në ambientet e brendshme të spitalit Rajonal të Fierit, ku autori D. Braçe i ka marrë armën nga brezi një efektivi policie dhe ka qëlluar mbi Aleksandër Zhapën duke e lënë të plagosur. Policia e Fierit së bashku me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë bërë të mundur rrethimin e menjëhershëm të spitalit dhe kapjen e autorit të plagosjes me armë zjarri D. Braçe, ndërsa është arrestuar edhe B. Braçe. Po ashtu në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar edhe Aleksandër Zhapa., 51 vjeç, banues në Ferras, E. K., 32 vjeç, banues në Vlorë si dhe Aldo Zhupa., 22 vjeç, banues në Ferras, Fier. Për sa u përket të plagosurve deri më tani janë nën kujdesin intensiv të mjekëve. Ndërsa Policia e Shtetit ka ngritur një grup hetimor të posaçëm për të zbardhur konfliktin e plotë mes dy familjeve që çoi në përplasjen e armatosur.

Si nisi konflikti

Ngjarja që tronditi Fierin mbrëmjen e së shtunës nisi në Levan. Dy familje u përfshinë në një konflikt në një lokal dhe pjesëtarët e tyre u plagosën me mjete të forta. Shkaqet janë ende të paqarta ndërsa mendohet se konfrontimi nisi për shkaqe banale, dhe dy familjet ishin përplasur edhe më herët. Të lënduarit u transportuan në urgjencën e spitalit të Fierit, ku ngjarja precipitoi me përdorimin e armës. Njeri prej tyre i rrëmbeu armën policit që po ndihmonte në transportimin e të lënduarve dhe plagosi një prej tyre. Bilanci është 5 të plagosur dhe 5 të arrestuar, ndërsa qyteti i Fierit u blindua nga policia pas ngjarjes së rëndë. Në Spitalin e Fierit ndodhen 5 të plagosur; Aleksandër Zhapaj dhe dy djemtë e tij, Aldi dhe Gentjan Zhapaj dhe në reanimacion vazhdojnë të qëndrojnë që prej mbrëmjes së të shtunës Klajdi Lamaj dhe Erlind Muçaj.

Në orët e para të mëngjesit është njoftuar Qendra Kombëtare e Urgjencave Mjekësore, ose rëndom, numri 127 nga banorët e Levanit. Telefonata është bërë sapo ka nisur debati mes dy familjeve. Pas marrjes së njoftimit, punonjësit e Urgjencës kanë shkuar në Levan, ku sollën në repart dy persona të plagosur, njëri prej të cilëve me çifte. Daniel Braçe është paraqitur në urgjencë në orën 03:40. Ai ishte i plagosur me armë zjarri në këmbën e djathtë. Pasi ka marrë mjekimin e nevojshëm është shoqëruar nga uniformat blu në ambientet e paraburgimit. Ndërkohë në orën 04:10, i ati i Danielit,  Eqerem Braçe ka marre ndihmë mjekësore, pasi ishte me tension dhe takikardi.  Pasi mori ndihmën e nevojshme mjekësore, ka dalë në orën 07:00 dhe është shoqëruar ne ambientet e policisë nga forca ‘Shqiponja’.

Flasin mjekët: Dy të plagosur në reanimacion, tre të tjerë jashtë rrezikut

Një ditë pas sherrit ku u përfshinë dy familjet Zhapa dhe Braçe, mjekët kanë dalë në një konferencë për mediat, ku kanë dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të të plagosurve. Nëndrejtori teknik Ramadan Çepele dhe mjeku reanimator Kliton Gjerazi, kanë deklaruar se kanë mbërritur në spital 5 persona, nga të cilët 2 janë në reanimacion dhe tre të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën. “5 persona, 2 në reanimacion dhe 3 të tjerët jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej tyre ka kryer ndërhyrje kirurgjikale, kishte një plagë në bark. Pacienti tjetër kishte një plagë shpuese, por nuk ishte e nevojshme për ndërhyrje kirurgjikale, se s’kishte hyrë në organet e trupit. Personi i plagosur me armë zjarri kishte dy plagë, një shpatull dhe në kyç, pa qenë plumbi brenda. Dy të tjerët të rrahur, me trauma sipërfaqësore, nuk rezultojnë me hemorragji të brendshme”, thanë mjekët.

Drejtori i Policisë

Dy persona janë shoqëruar nga policia e Fierit pak pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në ambientet e Urgjencës së Spitalit mbrëmjen e së shtunës dhe dy të tjerë janë në kërkim. Drejtori i Policisë së Fierit nga spitali beri me dije se tre persona kanë mbetur të plagosur, teksa për një të dyshuar që është në kërkim dhe si rrjedhojë në shtëpinë e tij është ushtruar kontroll nga policia. Ai ka sqaruar edhe dinamiken e ngjarjes, sipas të cilit, një sherr ka nisur në Levan dhe ka përfunduar me përdorimin e armëve në spital. Sipas drejtorit, një person nga pjesëtaret e sherrit i ka marre armën policit të patrullës së përgjithshme aksidentalisht dhe me të ka qëlluar në drejtim të të plagosurve. Deklarata e Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier Andon Marko: Kanë qenë dy persona që janë nisur në drejtim të spitalit, dhe persona që kanë qene pjesë e sherrit të gjithë të identifikuar. Në momentin që personat e dëmtuar kanë ardhur në spitalin e Fierit ka ndodhur një incident ku policit të patrullës së përgjithshme, i kanë marrë aksidentalisht armën nga brezi dhe njëri shtetas që ne tani e kemi identifikuar ka qëlluar ndaj dy personave me të cilin kishin pasur konfliktin e mëparshëm. Kemi shoqëruar në polici dy persona, dhe po punojmë për kapjen e dy të tjerëve.SH

Be the first to comment

Lini një Përgjigje