Luksi i politikanëve/ Ambasadori suesdez jep mesazhin “e hidhur”

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai suedez Stefan Löfven duke udhëtuar me autobus pas një samiti. Politikanët suedezë përdorin vetëm transportin publik.

Nuk është fare rastësi. Ambasada e Suedisë në Tiranë, ka postuar në faqen e saj, një shkrim lidhur mbi luksin e zyrtarëve publikë duke sjellë shembullin e vendit të tyre ku funksionarët shtetërorë nuk gëzojnë asnjë ose shumë pak favore.

Publikimi vjen kur në opinionin publik shqiptar ka një debat të fortë, pas zbulimeve të faturave “të kripura” të qëndrimit të Ministres së Drejtësisë në hotele luksoze gjatë vizitave jashtë vendit.

Shkrimi është një pjesë nga libri i gazetares Claudia Wallin që ka bërë për jetën në Suedi. Ai tregon modestinë e zyrtarëve në Suedi, edhe pse ata janë një vend mjaft i pasur.

Nga Claudia Wallin

Mund të tingëllojë e çuditshme për shumë përfaqësues të një populli diku tjetër, por Suedia nuk ofron luks apo privilegje për politikanët e saj. Pa makina zyrtare ose shoferë privatë, ministrat dhe deputetët suedez udhëtojnë në autobusë dhe trena të mbushur me njerëz, ashtu si qytetarët që ata përfaqësojnë. Pa ndonjë të drejtë imuniteti parlamentar, ata mund të gjykohen në gjykatë si çdo person tjetër. Pa sekretarë privatë në derë, zyrat e tyre janë 8 m2.

“Unë jam ai që paguan politikanët” – thotë Joakim Holm, një qytetar suedez: – “dhe nuk shoh asnjë arsye për t’u dhënë atyre një jetë luksoze”.

Politikanët që guxojnë të shpenzojnë para publike në udhëtimet me taksi, në vend që të hipin në tren, përfundojnë në titujt kryesorë të lajmeve. Edhe kryetari i Parlamentit merr një abone për të përdorur transportin publik. Vetëm kryeministri ka të drejtë të përdorë një makinë nga forcat e sigurisë.

Parlamentarët suedezë jetojnë në apartamente të vogla në kryeqytet, ku ata lajnë dhe hekurosin rrobat e tyre në lavanderi komunale. Deri në fund të viteve 1980, të gjithë parlamentarët flinin në shtretër në zyrat e tyre.

Këshilltarët suedezë as nuk fitojnë rrogë, as nuk kanë të drejtë të kenë një zyrë – ata punojnë nga shtëpia.

Përvoja e Suedisë shkatërron konceptin e palëkundur se politikanëve duhet t’u akordohet një trajtim-nderimi të denjë për një kastë të lartë, e cila përbëhet nga zonja dhe zotërinj që shkëlqejnë më shumë sesa qytetari mesatar dhe prandaj meritojnë një të drejtë gati hyjnore për përfitime dhe privilegje.

Ky është një komb që i trajton zyrtarët e qeverisë dhe përfaqësuesit politikë si qytetarë të thjeshtë. Një shoqëri që hoqi përdorimin e përemrave pronorë në vitet 1960, dhe ku të gjithë quhen thjesht “ti”. Sepse, sipas sistemit suedez të vlerave, askush nuk është mbi askënd tjetër. As politikanët, të cilët duhet të jetojnë në kushte të ngjashme me realitetin e njerëzve që i zgjedhin.

E lirë nga pabarazitë e mëdha sociale, Suedia është padyshim një vend më i sigurt dhe më pak i dhunshëm, ku politikanët dhe qytetarët nuk kanë nevojë të udhëtojnë me makina të blinduara. Por, më e rëndësishmja, kjo është një shoqëri që zgjedh politikanë që duhet të jenë në kontakt me realitetet e ditës dhe dhimbjet e qytetarëve. Politikanët nuk lejohen të vendosin interesat e tyre personale përpara atyre të njerëzve, në një shoqëri që demonstron se pushteti politik mund të ushtrohet brenda kufijve të vendosmërisë.

Në sistemin e drejtësisë, logjika është e njëjtë: asnjë gjyqtar nuk ka të drejtë për makina zyrtare, sekretarë privatë ose privilegje. Ata që janë në detyrë duhet të përgjigjen, dhe të gjitha informacionet duhet të jenë të disponueshme për publikun.

Qasja e publikut në dokumentet zyrtare të qeverisë është një e drejtë kushtetuese për të gjithë qytetarët, e parashikuar në një kapitull të veçantë të Ligjit Suedez për Lirinë e Shtypit.

Në Suedi është e mundur të gjurmohen shpenzimet e ministrave, përfaqësuesve dhe gjyqtarëve; të lexohet deklarata e taksës mbi të ardhurat e kryeministrit; të kontrollohen shpenzimet e komisarit policor kombëtar ose komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura.

Një nga skandalet më emblematike politike të vendit u zhvillua në vitet 1990. Zëvendëskryeministrja, Mona Sahlin, bleu një çokollate, pelena dhe disa sende të tjera personale me një kartë krediti qeveritare dhe e pagoi shtrenjtë duke humbur punën.

Në pak më shumë se 100 vjet, Suedia është shndërruar nga një shoqëri bujqësore e varfër në një nga vendet më të pasura, më të drejta shoqërore dhe më pak të korruptuara në botë, ku askush nuk është mbi askënd tjetër. Përvoja Suedeze demonstron ndoshta më shumë se çdo tjetër se si ndryshimi është i mundur.


Be the first to comment

Lini një Përgjigje