Emrat/ SPAK – Kush janë prokurorët që do të hetojnë korrupsionin

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka zgjedhur 15 prokurorët që mund të bëhen pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), nëse arrijnë të kalojnë me sukses kontrollin e trefishtë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).

Pas kryerjes së një procesi përzgjedhës, KLP bëri më 16 korrik pikëzimin e kandidaturave mes të cilëve kryesojnë prokurori Altin Dumani, aktualisht i komanduar në krye të Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda. Dumani ndiqet nga prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini, i cili zotëron një CV të pasur në hetimin e grupeve kriminale.

Pjesë e të përzgjedhurve nga Këshilli është edhe prokurorja e Krimeve të Rënda, Elizabeta Imeraj, aktualisht e komanduar në krye të Prokurorisë së Tiranës. Imeraj është konsideruar si “gruaja e hekurt” gjatë përfaqësimit të organit të akuzës në çështjen ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërsa ka shqyrtuar dosje të krimit të organizuar dhe të funksionarëve të lartë.

Mes të përzgjedhurve është edhe prokurori që aktualisht ka nën hetim dosjen ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Klodian Braho. Besnik Muçi, Doloreza Musabelliu, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Ened Nakuçi dhe Behar Dibra, prokurorë në Prokurorinë për Krime të Rënda janë gjithashtu në listën e 15 më të mirëve.

Më tej, lista vijon me prokurorët Ndini Tavani e Elida Kaçkini, të Prokurorisë së Tiranës, Arben Krajën, prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Anita Jellën, drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit dhe Enkeleda Millonajn, prokurore në Elbasan.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje