IKONAT E PËRDORURA TË TEATRIT

Kryeministri ynë, për çdo ditë, në zyrën e tij kryesore, atë të Facebook-ut, publikon deklarime të aktorëve të mirënjohur teatrorë që janë pro Teatrit të ri.  Ai kaloi nga Rajmonda Bulku, te Ndriçim Xhepa, Ema Andrea, Artan Imami etj. Të më falenderojnë ata aktorë që ua harrova emrin në këtë listë.

Kryeministri po përpiqet t’i kthejë aktorët kundër njëri tjetrit dhe kjo është e padinjitetshme. Edhe për një Drejtor lokal e lëre më për një Kryeministër. Artistët mund të kenë njëmijë halle e një i gjithëpushtetshëm si Kryeministri ynë mundet të gjejë mënyra për t’ua marrë nëpërkëmbë dinjitetin. Siç bëri më Rajmondën ose me Robert Ndrenikën. I bëri të hanin fjalët e veta dhe publikisht… M’u kujtua Berti i mirë, aktori më i dashur shqiptar, kur i tha Ministres së atëhershme të Kulturës “Unë nuk do të tretem në gropë por do të shtrihem aty që të mos shembet Teatri”!

Pse na e more Bertin e mirë?! Ai është dashuria jonë, u rritëm me të. Ai nuk ka moshë për t’ia marrë erzin, po shkon 80 vjeç! Lëreni të rrijë ashtu ikonë, dashuri, artist.

Ku shkoi Bujar Asqeriu me shpërthimet e tij emocionalo-patetike në mbrojtje të Teatrit? Po Arben Derhemi që mbante flamurin e mbrojtjes?

Sigurisht ata ndërruan qëndrim. U bënë indiferentë tashmë. Ndonjë ditë, ndonjërin prej tyre do ta shohim të na përmendë të mirat që ka ndërtimi i ri. Dhe pastaj Kryeministri do ia marrë deklaratën e tij publike e do t’ia shpërndajë në zyrën e tij kryesore, atë të Facebook-ut. Do e fillojë me fjalët e neveritshme “Sa bukur e ka shprehur Filan Fisteku, aktori ynë i njohur, ai që ka bërë sa e  sa role”….

Më e poshtër sesa këmbimi i tokës së Teatrit me ndërtesën është nëpërkëmbja e artistëve, kthimi i tyre kundër njëri tjetrit! Kjo është diabolike.

I nderuar Zoti Kryeministër!

Bashkë me shembjen e ndërtesës po shemb edhe dashurinë tonë për gjithë çfarë ka prodhuar ajo ndërtesë! Mos e përdorni Robert Ndrenikën e madh, as Bujar Asqeriun, as Artan Imamin që e latë pa gjumë… Lëreni Jusuf Vrionin e madhe atje në mbretërinë e madhe të asaj bote. Mjaft u del Laerti i pakompromis në mbrotje të pushtetit e Isai i vogël i Kolonjës së madhe…Ah, harrova edhe Luftarin që të pat thënë atë batutën për brekët e Violeta Manushit “Brekët e Violetës janë të arta”! Me atë bëj çfarë të duash. Ai është i Portokallisë së komunizmit.

Mos e detyro Rajmondën dhe Emën të të përgjigjen duke ua përmendur emrin në Apelin e tmerrshëm. Sepse ato, të paktën morën kurajon dhe i shkruan dy fjalë në reagim të statusit tuaj, një përpjekje për të dalë nga vatha e të përdorurve .

Në përfundim, ju do ta shembni atë godinë, unë jam fare i qartë. Dhe, për hir të së vërtetës, jam pro jush. Ajo godinë duhet shembur dhe duhet ndërtuar një e re që të shërbejë për 100 a 200  vjetët e ardhshme. Nuk po i hyj këtu mënyrës sesi do të ndërtohet Teatri i ri se nuk është subjekt i këtij shkrimi. Por mos i përdorni ikonat e teatrit. Lërini në hallët e tyre, të mbesin dinjtozë.

E di që thellë thellë do mendosh “ato farë ikonash”. Prandaj edhe i sulmon duke ua publikuar turpin e tyre në FB Tuaj.

Dua ta mbyll duke përmendur arsyen se pse ikonat tona nuk duhet të deklaroheshin pro qëndrimit të Kryeministrit edhe kur ky ishte mendimi i vërtetë.

Sepse është hera e fundit që mendimi i tyre i intereson Atij.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje