RRËFIMI I DYTË I ILIR METËS – 2011

Nga Ermal Mulismani – Në Prill të 2008-ës Shqipëria sapo ishte futur në NATO dhe zhurma e Gërdecit po fashitej. Pakti Rama-Berisha për ndryshimin e Kushtetutës dhe sidomos neni që ndryshonte sistemin zgjedhor, paralajmëronte ditë të zeza për Partitë e vogla. Ky sistem i ri zgjedhor (proporcional rajonal) kërkonte nga një Parti të kishte mbi 15% elektorat në një zonë të caktuar që të pretendonte për deputet. Të favorizuar ndjeheshin Partitë me elektorat të koncentruar si çamët ose minoritarët.

Nga ajo periudhë, në kujtesë kanë mbetur dy momente. Greva e urisë në Parlament dhe sulmi i Ilir Metës ndaj Kryetares së Parlamentit duke kapërcyer me dhunë edhe truproja-t. Një skenë e pandodhur më parë me një njeri që zakonisht nuk e humb gjakftohtësinë. Por, duket që goditja që mori nga Rama – Berisha ishte shumë e fortë dhe i rrezikonte asgjësimin politik!

Me gjasë Edi Rama e shijoi nga ndonjë poltron i rehatshëm shpërthimin emocional dhe humbjen e ekuilibrit të Ilir Metës. Mendoi se i lau duart me të. Mbi 100 deputetë i votuan ndryshimet kushtetuese. Sali Berisha dhe Edi Rama u shpallën mbretër absolutë dhe prisnin zgjedhjet e ardhshme të 2009 -ës për të korrur frytet e kësaj fitoreje!

Rezultati zgjedhor i 2009-ës do mbetet në histori si një nga më interesantët e pluralizmit politik. Sali Berisha, një mjeshtër i koalicioneve, mblodhi në koalicionin e djathtë çdo lloj Partiçke që premtonte qoftë edhe 500 vota për t’i faktorizuar ato vota. Edi Rama, ndoshta euforik dhe besimplotë për fitoren e nënvlerësoi kundërshtarin. 

Përfundimisht, koalicioni i djathtë mori 70 mandate deputetësh, Partia Socialiste mori 66 mandate ndërsa koalicioni i kryesuar nga Ilir Meta mori 4 mandate! Matematikisht barazim mes të majtëve dhe të djathëve.

Ilir Meta mbijetoi! Dhe për këtë mbijetesë meritë pati edhe Edi Rama.

Gjatë numërimit të votave, kur gjërat ishin të paqarta dhe u pa që rezultati do të ishte shumë i ngushtë, Edi Rama u bën thirrje komisionerëve socialistë që të ruanin çdo votë të LSI-së! Ky është një fakt që edhe vetë Rama e pranon në librin e tij “Kurbani”. Nënteksti ishte që “pavarsisht kontradiktave të tmerrshme që kam me Ilir Metën, nëse për pushtetin do të duhej koalicion Meta do të vinte me PS-në”. Kjo thirrje e Ramës, me gjasë, i ruajti votat e Ilir Metës në Tiranë dhe e bëri atë ironikisht deputet!

Ditët paszgjedhore u pasuan nga një paqartësi e madhe. Dritan Prifti, deputeti kontravers i LSI-së deklaroi nga Fieri që “Vota ime nëse do t’i duhet shkon për Qeverinë e Sali Berishës”! Ishte një sinjal i qartë që tabutë po thyheshin.

Me 4 Korrik 2009, ditëlindjen e 45 -të të Edi Ramës, Ilir Meta deklaron koalicionin e tij me Sali Berishën! Ishte një goditje e fortë dhe dërrmuese për personin që e kishte lëshuar çomangen. 

Padyshim goditja më e fortë politike që ka marrë ndonjëherë Edi Rama! 

Sfera e vogël  përsëri e kishte futur brenda sferën e madhe. Dhe çfarë të future se! Qeveria e re PD-LSI ishte një tepri dhe një shpërdorim i paparë, një lëshim euforik i dalldisur nga hakmarrja dhe mbijetesa. 

Edi Ramës nuk i dilte e keqja. Në Bashki shkonte për inerci por fiksim kishte vetëm një: Të shkatërronte Ilir Metën!

Dhe mundësia nuk vonon. Ironikisht është përsëri Dritan Prifti goditësi. Ai që deklaroi i pari dhe publikisht votën e tij për Sali Berishën do të kthehej në shpëtimtarin e Edi Ramës tashmë! Një videoregjistrim diku tek 12 minuta, mes Dritan Priftit dhe Ilir Metës, është asi nën mëngë që do ti jepte goditjen përfundimtare edhe Qeverisë edhe rivalit të vjetër rondokop. 

Në atë video Ilir Meta shfleton një bllok të vogël që  ka shënime për punë që duhet të kryheshin përkundër favoreve që shkonin nga 7% e vlerës e deri në 700 mijë….

Video transmetohet në një nga emisionet më të njohura investigative në vend, në Televizionin Top Channel. Efekti që jep në publik është i jashtëzakonshëm. Imazhi i Ilir Metës merr në mënyrë të pakthyeshme goditjen më të madhe të mundshme. Ilir Meta dorëhiqet nga posti i zv/Kryeministrit “për tu hapë rrugë hetimeve”.

Edi Rama buzëqesh. Duket që Qeverisë së 2009-ës, pa mbushur as 16 muaj po i binin patericat. Një protestë e madhe mbarëpopullore lajmërohet nga Opozita e drejtuar nga Edi Rama për t’i dhënë goditjen e fundit pushtetit të kapur “me bllok në dorë”! E kështu, vijmë me 21 Janar ku Gardistë të Republikës së Shqipërisë vrasin 4 persona të pafajshëm, megjithëse jashtë perimetrit të Kryeministrisë! 

Ambasadori amerikan në mënyrë paradoksale deklaron që “Kryeministri Berisha është burrë shteti” duke e bërë situatën edhe më të pakuptueshme. Videoja Meta-Prifti del në plan të dytë tashmë. Siç e kemi zakon, ne e mbysim një skandal me një tjetër më të madh. Qeverisja vazhdoi përkundër rënies drastike të mbështetjes popullore dhe me një reputacion të dërrmuar. Sali Berisha vendos të mbajë në këmbë koalicionin me Ilir Metën duke u bërë mburoja politike e këtij të fundit.

Edi Rama nuk po i besonte syve dhe veshëve. I çoroditur dhe krejt pa kuptim vendos të rikandidojë për Kryetar të Bashkisë së Tiranës. Njeriu që shqiptarët prisnin t’u printe për rrëzimin e dyshes Berisha-Meta, Kryeministri në hije, njeriu i shpresës së tyre vendos të vegjetojë sërish në pellgun lokal të Tiranës.

Ilir Meta dhe Sali Berisha bashkojnë forcat dhe, për fatin e  Edi Ramës, e nxjerrin atë nga pellgu ku ai  po klloçiste. Paçka se Edi Rama i fitoi zgjedhjet për vetëm 10 vota. Pushteti përmes instrumentit të KQZ-së sajoi një marifet absurd dhe ia vodhi mandatin Ramës. 

Për fatin e tij të mirë sigurisht. Në karrigen e Kryetarit të Bashkisë u ul Lulzim Basha. 

Pushteti po i trashte zullumet. U kap duke vjedhur me zë dhe figurë, vrau katër protestues në bulevard, vodhi live mandatin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Edi Ramës po i vinte dita jo për meritë të tij sesa të kundërshtarit të vetëkënaqur e të korruptuar.

Në Janar të vitit 2012, Gjykata e Lartë e Shqipërisë jep vendimin:  “Video e skandalit Meta Prifti nuk është origjinale dhe nuk mund të merret si provë. Ilir Meta shpallet i pafajshëm”. Vendimi i Kolegjit Penal kryesohej nga Ardian Dvorani.

Ardian Dvorani sot është  Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pra njeriu më i rëndësishëm në sistemin e Drejtësisë në vend, i nxjerrë i pastër nga Reforma në Drejtësi!

Ilir Meta ia kishte hedhur edhe njëherë. Por, këtë herë, jo pa pasoja.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje