DEMOKRACIA NJEPARTIAKE DHE THONJZINJTE E SHQIPERISE

Neritan Alibali – Shqipëria votoi më 30 qershor. 500 mijë qytetarë sipas opozitës, apo 800 mijë sipas mazhorancës morën pjesë në votime. Basha e quajti këtë proces votim pa zgjedhje! Rama, nga ana e tij, e quajti zgjedhje nëpërmjet votimit.

Por, çfarë ishte 30 qershori, në të vërtetë? Zgjedhje apo votim? Votim apo zgjedhje?

Në fakt, duket sikur të dy palët kanë të drejtë. 30 qershori ishte një proces me funksion të dyfishtë: edhe votim edhe zgjedhje. Shqiptarët u thirrën nëpërmjet një dekreti të shfuqizuar të presidentit të Republikës që më 30 qershor të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre në pushtetin lokal. Por, për mungesë të kandidatëve të opozitës, zgjedhësit duhet të votonin të vetmet alternativa të propozuara – kandidatët e mazhorancës. Ndërkaq, kryeministri e shtyu 30 qershorin tej qëllimit të tij fillestar. Përgjatë gjithë turrit të tij elektoral, ai deklaroi se në kushtet ku ndodhej vendi, nuk kishte rëndësi më zgjedhja e përfaqësuesve lokal sesa përcaktimi i shqiptarëve për “shtetin që duan“. Dhe, në fakt, ashtu ndodhi! Shqiptarët u thirrën nga mazhoranca socialiste më shumë për të zgjedhur midis demokracisë pluraliste dhe shtetit njëpartiak sesa për të votuar pushtetin lokal. Përfundimi dihet! Rama e humbi referendumin e tij, por fitoi të gjithë pushtetin vendor. Tashmë mazhoranca e sundon pushtetin plotësisht, si në shtrirje horizontale ashtu edhe vertikale. Pavarësisht se mund të duket paradoks, prej 1 korrikut, ne jetojmë në një demokraci njëpartiake. Sepse Shqipëria do të vazhdojë të quhet një vend demokratik për sa kohë që partnerët tanë ndërkombëtarë nuk do ta klasifikojnë sistemin e instaluar pas 30 qershorit, si diktaturë apo regjim autoritar.

Por, duke qënë se “Shqipëria e re“, si në pushtetin qendror edhe në atë vendor nuk e plotëson kushtin bazë të demokracisë, pluripartitizmin, ne, nuk kemi si ta quajmë ndryshe përveçse një demokraci njëpartiake. Nëse duhet të kërkosh një sistem të tillë të ngjashëm, sot e gjen në Kinë. Ndërsa në Evropën duhet të shtyhesh shumë pas, në Turqinë e vitit 1946. Republika e Ataturkut, e krijuar në vitin 1923, konsiderohej një demokraci njëpartiake deri në vitin 1946, kur presidenti Ismet Inonu e çoi vendin në të parat zgjedhje pluraliste të Republikës Turke. Prej atëherë, duke përjashtuar vendet e kampit socialist, të cilat megjithëse diktatura, e mbanin veten si demokraci popullore, Evropa deri më sot nuk ka parë në hapësirat e saj ndonjë demokraci tjetër njëpartiake.

Por, 30 qershori si referendum, na zbuloi edhe një fakt shumë të rëndësishëm: një trupë prej 500-800 mijë qytetarësh shqiptarë, kanë zgjedhur me votë shtetin njëpartiak. Ky grup qytetarësh me thonj të nxirë (në këtë kuptim, thonjnxirë quhen personat që votojnë, të cilëve u shënjohet me bojë të zezë thoji i gishtit të dorës), kanë certifikuar më 30 qershor një front politik të bashkuar shumëngjyrësh, që shkon nga e majta ekstreme, komunistët e deri te qendra e djathtë, partia Bindja Demokratike. Ky front thonjnxirësh, i udhëhequr nga Partia Socialiste, është i vetmi bllok politik prezent në parlament, me 118 deputetë dhe në pushtetin vendor, në drejtimin e të gjitha bashkive dhe këshillave bashkiake të tyre.

Nëse Rama arin deri në atë gradë sa ta konsiderojë 30 qershorin si një referendum të fituar prej tij, atëherë ka për detyrë ta çojë deri në fund marrëzinë duke e reflektuar “verdiktin e popullit të tij të shenjuar“ në Kushtetutën e Shqipërisë. Kryeministri ka të gjithë “kokrrat” e nevojshëm në parlament për të amenduar një sërë nenesh të Kushtetutës, me anë të të cilave pluralizmi të përcaktohet si një “parim kushtetues i pranueshëm, por jo i detyrueshëm“. Gjithsesi, edhe sikur partia socialiste të mos marrë guximin ta realizojë këtë idiotizëm, 30 qershori tashmë ka krijuar një precedent kushtetues të paparë në jurisprudencën kushtetuese të sistemeve demokratike. Partnerët tanë ndërkombëtarë, mesa duket, të lodhur me krizat e vazhdueshme politike, kanë vendosur ta njohin këtë zhvillim të ri si një periudhë kalimtare ndërgjegjësimi të një populli pa traditë demokratike, me zhvillim të vonë të inteligjencës politike dhe me tendenca të theksuara tribalizmi. Këtë përfundim, ja vërtetojnë më së miri ata 500-800 mijë thonjnxirët e Shqipërisë, të cilët votuan me dëshirë për karakterin monopartiak të shtetit të tyre.

Ky grup qytetarësh është forca e vetme e pushtetit të sotëm dhe themeli i ushtrimit të tij. Përball tyre janë një milion shqiptarë, vërtet me bindje të ndryshme politike, por që me mospjesmarrjen e tyre në votim i thanë jo “demokracisë njëpartiake“. 30 qershori i ndau shqiptarët në dy fronte të mëdha. Ajo ditë e bëri opozitën, shumicë dhe qeverinë, pakicë, një tjetër paradoks i njohur, ky, i sistemit njëpartiak. Sot nuk ka më rëndësi nëse je i majtë apo i djathtë. Sot ka rëndësi nëse je pro apo kundër pluralizmit demokratik.

Dhe, kjo ndarje është aq e thellë dhe dramatike, sa që nëse nuk gjendet një zgjidhje e drejtë, pasojat do të jenë të mëdha. Zgjidhje ka, dhe është vetëm një, Zgjedhje! Zgjedhje të përgjithshme dhe vendore! Çdo zgjidhje tjetër, nuk është zgjidhje, por zgjedhje e pavlerë. Sepse, për demokracinë duhet të vendosim ne, të gjithë ne, duke vizuar në thonjtë tanë shenjën e votimit, në një proçes zgjedhor të ndershëm e të drejtë, sipas të gjitha parametrave të kërkuar ndërkombëtare. Dhe pastaj, le të fitojë më i miri! Por demokracia duhet të triumfojë!

Be the first to comment

Lini një Përgjigje