Dhuna ndaj gazetarit, reagon Presidenti Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dënuar ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e sotme në Dibër, ku u dhunua nga policia gazetari i News24, Enver Doçi.

Presidenti Meta kërkon të zbardhet ngjarja e plotë dhe të ndëshkohen autorët e dhunës, shantazhit, kërcënimeve e presionit. Sipas Kreut të Shtetit, liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike.

Reagimi i Presidentit Meta:

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dënon me forcë dhunën fizike të ushtruar nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj gazetarit të “News 24”, z.Enver Doçi, i cili ishte në krye të detyrës.

Presidenti Meta duke i uruar shërim të shpejtë, shpreh solidaritetin e plotë me z.Doçi dhe të gjithë gazetarët që me guxim, kurajo e profesionalizëm i shërbejnë interesit publik përmes fakteve dhe të vërtetave.

Presidenti Meta apelon zbardhjen e plotë dhe hetimin me përgjegjshmëri maksimale të kësaj ngjarjeje të rëndë duke përsëritur thirrjen e tij për ndëshkimin e të gjithë autorëve të dhunës, shantazhit, kërcënimeve e presionit ndaj gazetarëve.

Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje