Krerët e bashkive – Ramës: Je kokë e këmbë në paligjshmëri!

Kryetarët e bashkive të PD, LSI dhe PDIU kanë reaguar ndaj kërcënimit që u bëri kryeministri Edi Rama për të mos penguar, sipas tij, zhvillimin e zgjedhjeve më datën 30 qershor.

Në një reagim të përbashkët, kryebashkiakët i kujtojnë Edi Ramës se për sa kohë nuk ka një dekret zgjedhjes, nuk mund të ketë as zgjedhje kundër ligjit. “Zoti Kryeministër! Je kokë e këmbë në paligjshmëri!  Qeveria e drejtuar prej teje ka botuar në Fletoren Zyrtare dekretin e Presidentit. Siç mund ta dish fare mirë, në Fletoren Zyrtare publikohen aktet ligjore të detyrueshme për zbatim në Republikën e Shqipërisë. Mos u lodh me urdhra pa vlerë që nxisin militantët e tu në KQZ të na kërcënojnë me ndjekje penale, sepse, përsa kohë nuk ekziston një datë zgjedhjesh, as zgjedhjet nuk ekzistojnë”,- thuhet në reagimin e tyre.

Kryebashkiakët shtojnë se në momentin që Presidenti do të dekretojë një datë tjetër zgjedhjesh, ata do të zbatojnë ligjin. “Kushdo që vepron ndryshe, është në paligjshmëri! Zoti Kryeministër, kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale.  Hallin e datës 30 nuk ta zgjidhim dot ne!  Je që je kot dhe sillesh nëpër Shqipëri si qyfyrexhi, jepi urdhër KQZ-së të shpallë menjëherë nisjen e negociatave me BE”,- thuhet në reagimin e krerëve të bashkive për kryeministrin.

Krerët e Bashkive; Kukës, Mat, Skrapar, Delvinë, Përrenjas, Dropull, Gjirokastër, Berat,  Rrogozhinë, etj. i kërkuan sot KQZ dhe ministrisë së Brendshme largimin e komisioneve zonale të zgjedhjeve, pas anulimit të datës 30 qershor nga presidenti. Pas publikimit të dekretit në Fletoren Zyrtare, krerët e këtyre bashkive kanë njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionin e Prefektit, Ministrinë e Brendshme dhe Kryeministrinë, për largimin e zyrave të komisioneve zgjedhore që organizojnë zgjedhjet.

Por Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur me kërcënim kryebashkiakëve. “Kryebashkiakë demokratë! Mos bini viktimë e katërshes Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi duke nxjerrë pengesa për zgjedhjet. Referojuni ligjit jo hallit të tyre të madh e as zhurmës së tyre të kotë. Nuk ju nxori PS nga gara po ata dhe ata duhet të përgjigjen para jush, jo ju para tyre. Ligji s’ka mëdyshje”,- shkruan Rama në një postim në Facebook.1 nga 9  

Be the first to comment

Lini një Përgjigje