Bardhi: Dega e PS-së në KQZ shpall të pavlefshëm dekretin e Presidentit

Pas përfaqësuesit ligjor të PD në KQZ, Ivi Kaso, ka ardhur një tjetër i fortë nga selia blu lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të rrëzuar dekretin e Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve vendore.

Kësaj radhe është Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i cili përmes rrjeteve sociale shprehet se nuk duhet të skandalizohemi nga shpërdorimi i turpshëm që po i bëjnë detyrës disa anëtarë militantë të PS në KQZ!

Reagimi i Gazment Bardhit

Mos u habisni! Mos u skandalizoni nga shpërdorimi i turpshëm që po i bëjnë detyrës disa anëtarë militantë të PS në KQZ!

Këta që marrin përsipër të shqyrtojnë dhe të refuzojnë një dekret presidencial, janë ekzaktësisht të njëjtët militantë që pohuan përpara Gjykatës Kushtetuese se Kushtetuta mund të ndryshohet edhe me vendim qeverie.

Po të njëjtët, sot, thonë se Dekreti i Presidentit të Republikës shpallet i pavlefshëm me vendim të degës së Partisë Socialiste në KQZ! 

Në shtetin e ndërtuar nga Edi Rama nuk ka nevojë as për President të Republikës, as për Gjykatë Kushtetuese, as për Gjykatë të Lartë, as për Prokuror të Përgjithshëm, as për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në shtetin e Edi Ramës, të ndërtuar sipas modelit orwellian të Fermës së Kafshëve, mjafton vetëm Partia Socialiste dhe Edi Rama!

Kjo është e papranueshme dhe shqiptarët nuk kanë për ta pranuar kurrë! “Edi Rama mirë, gjithë të tjerët keq” ka marrë fund që më 16 Shkurt!

Be the first to comment

Lini një Përgjigje