Shtrohen rrugët ku do kalojë Papa Françesku

Maqedonia e Veriut – Ekipet e Ndërmarres Publike (NP) “Rrugë dhe rrugica” janë duke e gërryer shtresën e vjetër dhe do të vendosin asfalt te ri që të mos ketë vrima dhe gunga kur të kalojë Papa.

Në rrugën “Dimitrie Çupovski” në Shkup, te “Rekordi” po vendoset asfalt i ri, për Papa Françeskun i cili më 7 maj do të jetë në vizitë një-ditore në Shkup. Ekipet e NP “Rrugë dhe rrugica” janë duke e gërryer shtresën e vjetër dhe do të vendosin asfalt te ri që të mos ketë vrima dhe gunga kur Papa me automjetin special  “papamobili” do të lëvizë nga rruga Maqedonia në drejtim të sheshit “Maqedonia” ku do të mbahet liturgjia e shenjtë.

Liturgjia e shenjtë e Papës në Sheshin “Maqedonia” do të fillojë në orën 11.30. Pritet që të marrin pjesë mbi 15.000 besimtarë. Biletat jepen pa pagesë në kishat katolike në të gjithë vendin.

Kur Papa Françesku të kalojë në mes të pjesëmarrësve, nuk lejohet hedhja e ndonjë sendi, madje as lule, ndërsa gjatë kremtimit liturgjik nuk lejohet duartrokitje.

“Të gjithë pjesëmarrësit duhet me vete të kenë biletë dhe dokument identifikimi, letërnjoftimi ose pasaportë, të sëmurët kronikë të mbajnë me vete librezën shëndetësore dhe historinë e sëmundjes, si dhe ilaçet më të nevojshme që ata i përdorin. Uji dhe pijet freskuese duhet të jenë vetëm në paketim plastik transparent, ndërsa nëse mbajnë ushqim ai duhet të jenë në ambalazh kartoni ose prej letre. Nëse bie shi dhe duke qenë se nuk do të lejohet të futen çadra rekomandohet që pjesëmarrësit të kenë mantele për shi”, thuhet në njoftimin në ueb faqen për vizitën zyrtare të papës Françesku në Shkup Papa.mk.

Më 7 maj qendra e qytetit do të mbyllet për trafik nga ora 9. Qytetarët, të cilët do të marrin pjesë në liturgji, duhet të jenë në Shesh jo më vonë se në ora 9.

Me vete nuk guxojnë të mbajnë çadra, mjete shpërthyese, çakmakë, fishek-zjarre, përzierje dhe lëngje të ndezshme, spreje dhe shishe me ajër të ngjeshur, armë zjarri dhe të ftohta. Do të ndalohet të mbahen ushqime dhe pije në paketime metalike dhe të qelqit, alkool.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje