PSG humb Kupën e Francës në penallti

Paris Saint-Germaini nuk ka pasur fat me penalltitë këtë sezon. Penalltia e shënuar nga Marcus Rashfordi e eliminoi nga Liga e Kampionëve, ndërsa tani kampioni në fuqi i Ligue 1 e humbi finalen e Kupës së Francës, kundër Stade Rennais, pas gjuajtjes së penalltive.

Paris Saint-Germaini e filloi finalen e Kupës së Francës në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi me rezultat 2:0, pas golave të shënuar nga Neymari dhe Dani Alvesi, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, gjithçka që ndodhi pas minutës së 21-të nuk i shkoi në favor PSG-së. Në minutën e 40-të filloi përmbysja e rezultatit, kur Presnel Kimpembe e shënoi autogolin që e ndryshoi rezultatin e ndeshjes në 2:1.

11 minuta pasi filloi pjesa e dytë e ndeshjes, Edson Mexer e shënoi golin e barazimit. Pasi që asnjëra skuadër s’arriti ta gjejë golin në pjesën e rregullt, loja shkoi në pjesën shtesë.

Megjithatë, gjatë 30 minutave të kohës shtesë, përvec kartonit të kuq të Kylian Mbappes nuk ndodhi asgjë që ta ndryshojë rrjedhën e lojës dhe gjithçka u vendos përmes penalltive.

Pesë penalltitë e para të të dy skuadrave ishin të sakta, ndërsa Christopher Nkunku i PSG-së gaboi në penalltinë e gjashtë, duke ia dhënë kështu Stade Rennais-it trofeun dhe medaljet e arta të Kupës së Francës.

Kjo është hera e tretë që Stade Rennias bëhet kampione e Kupës së Francës. Më herët e kishte fituar në sezonet 1964/65, 1982/83.

Ky dështim është një goditje e rëndë për PSG-në, përkundër që e ka fituar titullin e Ligue 1 tashmë. Për shkak të investimeve të mëdha në skuadër, drejtuesit e klubit kishin pritur që PSG-ja të tregohet më e suksesshme edhe në Kupën e Francës, mirëpo vecanerisht në Ligën e Kampionëve.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje