Basha një orë kokë më kokë me Metën në Presidencë

Kreu i Partisë Demokratike dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kanë zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim “kokë më kokë” në ambientet e presidencës.

Mësohet se takimi ka nisur rreth orës 10:00  dhe ka zgjatur për rreth një orë. Ndërkohë, ende nuk janë bërë të ditura detajet rreth çështjeve të tryezës së diskutimit.

Ky takim vjen teksa na ndajnë vetëm pak javë nga rifillimi i protestave të paralajmëruara nga opozita për rrëzimin e qeverisë “Rama”.

Tashmë janë djegur të gjitha afatet dhe për 13 Tetorin, datën e dekretuar nga presidenti Meta për zgjedhjet lokale. Ky dekret nuk është pritur me një reagim pajtues unitar mes krerëve të partive të opozitës së bashkuar joparlamentare. Kështu, LSI-ja,  Partia Republikane dhe Partia Agrare Ambientaliste, dorëzuan me 5 gusht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje, ndërkohë që në kahun tjetër, nuk vepruan në mënyrë të njëjtë kreydemokrati Lulzim Basha me aleatët e tjerë. Në këndvështrimin e Kryemadhit, përballja në zgjedhje është e domosdoshme, “pavarësisht ligjëratës politike që ngre kryetari i PD-së dhe kryetari i opozitës që me një qeveri tranzitore dhe pa Ramën kryeministër”.

Gjatë muajve të krizës politike në vend, Meta është takuar të paktën tre herë me kryeopozitarin Basha, ndërsa nuk ka arritur që të ulë në tryezë me të kryeministrin Edi Rama, i cili këmbëngul për përmbylljen e mandatit të tij në afatin e parashikuar, në vitin 2021.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje