“ Venecia” në Tiranë, çfarë foli me Bylykbashin dhe Gjoshën?!

Mëngjesin e sotëm delegacioni i Komisionit të Venecias pati një takim me ish-deputetët e opozitës Klajda Gjosha dhe Oerd Bylykbashi.

Pas takimit ish deputeti Bylykbashi deklaroi për mediat se Kushtetuta e thotë mjaft qartë se kush e shkarkon Presidentin dhe se parlamenti kërkon që të fusë në këtë lojë të turpshme dhe institucionet ndërkombëtare. 

Sipas Bylykbashit, presidenti Meta me dekretet e tij u përpoq të ruajë unitetin dhe pluralizmin në Shqipëri.

“Kushtetuta është e qartë, Presidenti i Republikës shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese nëse ka shkelur Kushtetutën. Presidenti është përpjekur të garantojë unitetin e popullit dhe pluralizmin në Shqipëri. Kjo është një nga detyrat fisnike që duhet të luajë dhe ka luajtur presidenti. Parlamenti po përpiqet që të shkarkojë presidentin dhe në këtë lojë të turpshme përpiqet të bëjë palë institucionet ndërkombëtare që janë të qarta në lidhje me këtë”, u shpreh Bylykbashi.

Ndërsa ish ministrja Gjosha deklaroi se diskutimet për shkarkimin e presidentit janë të paprecedenta. Sipas saj qeveria merret me këtë çështje për të mbuluar keqqeverisjen dhe raportin e OSBE/ODIHR.

“Diskutuam një çështje që është e paprecedentë, aq më tepër për një vend që dëshiron të jetë pjesë e BE. Qeveria do duhej të fokusohej në plotësimin e kushteve për marrjen e rekomandimit për çeljen e negociatave, ne merremi me një çështje të rëndë, që është për të mbuluar gjithçka që sot shkon keq me qeverisjen, për të mbuluar raportin e OSBE/ ODIHR, që tregon qartë se në Shqipëri zgjedhjet janë pa standarde. Parlamenti dhe mazhoranca kërkojnë të bëjnë politikë me çdo gjë”, u shpreh Klajda Gjosha.

Anëtarët e Komisionit do t’i vijojnë takimet në Kryesinë e Kuvendit. Ata do të takohen me kreun e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, anëtarët e opozitës se re dhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.

Të dërguarit e “Venecias” do të takohen edhe me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama.

Delegacioni i Komisionit të Venecias ndodhet në Tiranë pas një kërkese nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku i kërkohet një opinion nëse me zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit Presidenti ka shkelur Kushtetutën.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje