Anglia mposht Kosovën 5-3, prish radhën e fitoreve

Anglia e ka mundur Kosovën 5:3 në një ndeshje triller kualifikuese për Euro 2020, duke ia ndërprerë ecurinë gati dyvjeçare pa humbje kombëtares verdhekaltër.

Para se ta vizitonte Southamptonin të martën në mbrëmje, Kosova kishte shënuar 10 fitore dhe kishte barazuar pesë herë të tjera në 15 ndeshjet e fundit, raporton Gazeta Express.

Humbjen e fundit e kishte pësuar në tetor të vitit 2017, në një ndeshje kualifikuese kundër Islandës (2:0) për Kupën e Botës 2018.

Por, Raheem Sterling me një paraqitje brilante, duke shënuar një gol dhe krijuar tri gola të tjera, i ndihmoi “Tre luanëve” të fitojnë dhe ta ruajnë rekordin pa humbje që prej vitit 2009 në ndeshje kualifikuese për Euro apo Botëror.

Skuadra e Gareth Southgate mbetet lidere e Grupit A me pikë maksimale nga katër ndeshje. Kosova e Bernard Challandes, ndërkohë, zbret në pozitën e tretë më 8 pikë, një pikë më pak se Republika e Çekisë në vendin e dytë. Kjo pasi Çekia e mundi 3:0 Malin e Zi.

Humbja nga Anglia me rezultat 5:3 e zbret Kosovën në pozitën e tretë në tabelë me 8 pikë, ndërsa Anglia ngritet në kuotën e 12 pikëve pas fitores ndaj “Dardanëve”.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje