Selami Morina. Ecejaket e një intelektuali

Nga ILIRJAN GJIKA (Historian) – Sot ai është pensionist dhe merret kryesisht me probleme shoqërore. Ashtu i thjeshtë, i pazhurmë, në qetësinë e tij, ulet çdo ditë në një nga baret pranë parkut qëndror të qytetit.  Atje, në shoqërinë e miqve të tij lexon gazetat, shijon kafen dhe diskuton rreth gjithçkaje, pa lënë mënjanë edhe temën e preferuar të ditës, politikën.

Asaj nuk i shmanget dot për shumë arsye. Dikur prej saj u persekutua dhe u diferencua nga të tjerët dhe shoqëria, ndërsa më pas, u përfshi prej politikës për tu bërë pjesë e ngjarjeve dhe zhvillimeve lokale. Gjithsesi ai e pranon se gjithmonë ka ditur të jetë një njeri i moderuar. Dhe në të gjitha pozicionet që ka kaluar gjatë jetës së tij plot ecejake, Selami Morina, është përpjekur të jetë një qytetar model. Me seriozitetin që e karakterizon dhe energjinë pozitive që rrezaton, sot, është një njeri i vlerësuar nga shoqëria. Janë tre njësi të qeverisjes vendore, si bashkia Fier, ajo Roskovec dhe ish komuna Dërmënas, të cilat i kanë dhënë titullin ‘’Qytetar Nderi’’. Këto për faktin sepse ai ka ditur të përçojë gjithmonë anët më të mira të personalitetit të tij.

Por cili është 79 vjeçari nga Fieri që nuk nguron të tregojë për ecejaket plot dritëhije të jetës së tij?! I lindur në 10 tetor 1940 në Fier, Selami Morina, i përket një familje me origjinë nga Mitrovica, ku dikur gjyshi, Haliti, ishte marrë me tregti dhe kishte pasur edhe një dyqan stofrash. I ati, Bejdullai, kishte ardhur herët në Shqipëri qysh në vitin 1912, së bashku me grupin e patriotit Isa Boletini për shpalljes e pavarësisë. Më pas ai ishte vendosur në Fier, ku kishte blerë edhe një sipërfaqe toke në Havaleas. Sipas të dhënave familjare, Bejdulla Morina, kishte marrë pjesë edhe në luftën e Vlorës në vitin 1920 dhe në rezistencën antifashiste në 7 prillit 1939, në skelën e Semanit. Për këto pjesëmarrje shtëpia e tij do të digjej nga pushtuesit italianë gjatë viteve të luftës. Ndërsa dekada më vonë për kontributin patriotik, ai, do të dekorohej në vitin 1993 nga Presidenti i Republikës, me ‘’Urdhrin Për Veprimtari Patriotike Të Klasit II’’.

Ndërsa piknisja e problemeve për familjen Morina do të ishin padyshim vitet e Luftës së Dytë Botërore. Kjo për arësye sepse, Bejdullau, ish oficer xhandarmarie në kohën e monarkisë, u kthye në Kosovë, në Mitrovicë. Këtu, pas rënies së Jugosllavisë së Vjetër, Gjermania, krijoi në vitet 1941-1944 strukturat qeverisëse dhe xhandarmarinë vendase, ku u thirrën oficerë dhe nëpunës edhe nga Shqipëria. Për shkak të këtij shërbimi në mbarim të luftës ai u detyrua të largohej. Si emigrant politik u vendos në Turqi, ku jetoi në Stamboll deri sa vdiq në vitin 1981. Por ngjarja më e rëndë që do të sillte pasoja dhe do të rëndonte pozitën e familjes Morina do të ishte ajo e 18 gushtit të vitit 1945. Në këtë ditë, me akuzën si antikomunist së bashku me një grup nacionalistësh do të ekzekutohej i vëllai, Haliti, pavarësisht se kishte qenë për disa kohë edhe partizan në brigadën e XII të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.

‘’Në këto kushte e nisa rrugën e vështirë të jetës’’, tregon Selami Morina. Linda gjatë luftës dhe  në vitet e para pas saj njoha realitetin ndryshe. Për shkak të biografisë që konsiderohej shumë e keqe na larguan nga qyteti i Fierit dhe u vendosëm në Havaleas, pranë Apolonisë. Aty nisi etapa më e rëndë e jetës sonë. Të konsideruar si kulakë edhe tokat që zotëronim si familje na i sekuestruan.

Por në fshat pata mundësinë të nisja edhe shkollën fillore. Si klasa shërbenin dhomat e kishës së Shën Marinës, ku mësues kishim dy emra të njohur për arsimin e kohës në zonën e Myzeqesë, Ilia Lenën dhe Gaqo Toskën. Ishin vite kur ne si fëmijë ishin plot energji dhe interesa mësimore, tregon kësaj radhe me një farë nostalgjie të ligjshme Selamiu. Për fatin tonë të mirë pak kohë më vonë, në fshatin fqinj të Pojanit u hap edhe shkolla ‘’7 vjeçare’’. Aty kreva ciklin e lartë ku nga shokët e shkollës kujtoj me nostalgji Vasil Priftin, Athina Mitrin, Leta Tushen, Tuni Lenën, etj. Vite më vonë kam edhe një kujtim shumë të bukur me rastin e 50 vjetorit të shkollës, ku ruaj edhe një fotografi me ‘’Mësuesin e Popullit’’ Kristaq Shtëmbari dhe shkrimtarin Leonidha Prifti.

Por le të vijojmë bisedën tonë, ndalet përsëri i menduar Selami Morina. Dua të them se edhe lufta e klasave nuk ishte e njëtrajtëshme. Herë-herë ajo zbutej e herë të tjera merrte forma më të ashpra trajtimi. Kështu ndodhi edhe me mua. Pas mbarimit të shkollës ‘’7 vjeçare’’ si nxënës me rezultate shumë të mira më doli bursa për në Teknikumin e Ndërtimit në Tiranë. Por këtu u shfaq për herë të parë lufta e klasave ndaj meje. Për shkak të biografisë ma hoqën bursën dhe më dërguan në Shkollën Pedagogjike të Vlorës, të ndiqja degën e mësuesisë.

Për Vlorën edhe sot ndjej nostalgji, flet duke buzëqeshur ai. Nëse do të më pyesnin se, cilin vend do të zgjidhje pas Fierit për të banuar, përgjigja ime do të ishte e prerë: në Vlorë!

Atje përveç detit që e kishim fare pranë konviktit në Ujin Ftohtë, më pëlqente edhe ambienti i shkollës, shoqëria, si dhe natyra e vlonjatëve. Ishin shokë të mirë, njerëz të mençur, praktikë dhe të shkathët. Në Vlorë gjatë atyre viteve njoha edhe meritokracinë, pasi si nxënës i mirë më zgjodhën jo vetëm kujdestar klase por edhe konvikti. Në pedagogjike, përveç shokëve nga Vlora mund të kujtoj edhe plot shokë të tjerë nga Fieri, të cilët vite më pas u bënë ndër emrat e njohur në disa fusha në qytetin tone si: Hamza Myrtaj, Enver Skëndaj, Lavdosh Ahmetaj, Viktor Bitri, etj. Dua të theksoj se edhe shumë kohë pas studimeve, drejtori i shkollës, ‘’Mësuesi i Popullit’’  Harrilla Kuçuli, më dërgonte vazhdimisht me kolegë të ndryshëm, të falat e tij, duke theksuar gjithmonë se: ‘’Selamiun e kam patur një nga nxënësit më të mirë’’.

Ndërkohë që në mënyrë të natyrshme pas studimeve erdhi edhe periudha e punës. Fillimisht më emëruan mësues të shkollës fillore në Bardhaj të Mallakastrës. Ishte viti 1960 dhe shkolla kishte katër klasa kolektive, ku për mua si mësues i ri ishte jo vetëm e pamundur por edhe tepër e vështirë. Atëherë u konsultova me mikun dhe mentorin tim në fushën e arsimit dhe mësuesisë, të paharruarin Hamza Myrtaj. Ai më rekomandoi që të kërkoja një tjetër vend diku gjetkë. Kështu veprova dhe i shkrova ministrit të atëhershëm të arsimit, Thoma Deljana. Nuk vonoi dhe ai më ktheu përgjigje në mënyrë korrekte duke e zgjidhur menjëherë problemin e emërimit tim. Kështu nisa për herë të parë punën si mësues.

Në vitin shkollor 1960-1961 më emëruan në shkollën e fshatit Suk, në zonën e Roskovecit. E kështu pas një pune plot pasion dhe energji, vitin pasardhës, më tranferuan në shkollën e Jagodinës fqinje, ku për herë të parë ndjeva rezultatet e punës. Kështu mu dha mundësia  në vitet 1962-1966, të jepja mësim në shkollën ‘’7 vjeçare’’ Kurjan, ku përsëri punova me përkushtim pavarësisht vështirësive të shumta të kohës.

Për punën e mirë që kam zhvilluar në atë kohë kam qenë i lavdëruar nga institucionet përgjegjëse, tregon përsëri ai, duke na vendosur përpara disa dokumenta të vjetra. Janë disa të cilat janë nxjerrë nga arkivat e kohës. Midis tyre është edhe një karakteristikë pune e vitit 1962, e formuluar nga shefi i atëhershëm i seksionit të arsimit Vasil Rista. Aty midis të tjerave lexojmë: ‘’Është viti i tretë që shërben në arsim. Detyrën si mësues e ka kryer mirë. Vazhdon me korespondencë institutin 2 vjeçar dhe ka rezultate të mira. Deri tani mësues i shkollës fillore në Jagodinë, mendojmë të ngrihet në 7 vjeçare e të transferohet në shkollën 7 vjeçare Kurjan’’.  

Ndërsa mbi bazën e këtij dokumenti shohim edhe një të dytë që mban firmat e instruktorit të zonës Viktor Konomi dhe sekretarit të dytë të Komitetit të Partisë së Rrethit, Ferdi Karagjozi. Në të midis të tjerave shkruhet: ”Seksioni i arsimit mendon të transferohet në shkollën 7 vjeçare Kurjan. Aparati i partisë është dakort. Byroja e partisë aprovoj që Selamiu të ngrihet në arsimin 7 vjeçar’’. 

Por më mirë se kushdo këtë periudhë të punës së Selami Morinës e pasqyron një pasazh i shkëputur nga një shkrim i gazetarit Ymer Mavriqi marrë nga shtypi lokal. Ja seç shkruan ai te gazeta ‘’Fjala Jonë’’, në numrin e saj të datës 10 korrik 1992.

‘’Dhe e takova Selami Morinën, ja dhashë të falat që ja dërgonte mësuesi dhe drejtori i tij. E njëjta dashuri, si e mësuesit për nxënësin, ashtu dhe e nxënësit për mësuesin. Në sytë e tij shikoja gëzimin e jetës, dashurinë, përkushtimin për profesionin e bukur të mësuesit edhe pse punonte shumë larg familjes dhe njëherë në javë shkonte në shtëpi’’ .  

Por kjo përvojë që më bëri vërtet mësues nuk zgjati shumë pasi për arsye politike do të më largonin nga arsimi, nis të tregojë përsëri mësues Selamiu. Në mënyrë të papritur, në gusht të vitit 1966, me vendimin nr. 66 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, do të më pushonin nga puna së bashku me shumë kolegë të tjerë. Motivacioni ishte i prerë:  ‘’Si i papërshtatshëm në sektorin e  arsimit për shkak të qëndrimit të keq politik’’. I tillë ishte koha kur lufta e klasave pati një ashpërsim të saj. Këtu nis edhe kalvari im i persekutimit por edhe i ecejakeve. Me dhimbje u shkëputa nga profesioni dhe u detyrova të punoja në bujqësi, në kooperativë. Në fshat punova disa vjet duke u përpjekur paralelisht që të gjeja një vend më të përshtatshëm pune, për arësye se kisha probleme shëndetësore.

Këtu dua të ndalem paksa dhe të them edhe dy fjalë për nënën time, na ndërpret Selamiu. Nëna ka qenë një grua shumë kurajoze. Nuk kishte arsim se në atë kohë në Kosovë nuk lejoheshin shkollat shqipe, por kishte formimin e odave të Kosovës.

Nëna ishte e mençur, e matur dhe fjalëpakë.  Ishte ajo grua që dikur me atë urtësinë dhe kurajon e saj prej nëne kishte mbrojtur vëllain në gjyq. Ishte po kjo nënë që më dha mua aq kurajo edhe në ato kushte të vështira dhe kohë të vështira që po kaloja. Ajo më nisi te shefi i Seksionit të Arsimit në Fier, Omer Haxhia, me të cilin familja jonë kishte trashëguar një miqësi të vjetër.

‘’Unë  e njoh mirë babanë tënd, mu drejtua ai. Ka qenë dikur mik me tim atë dhe do të ndihmoj të gjesh një punë më të mirë’’. Kështu veproi dhe falë dashamirësisë dhe ndihmës së tij, mu krijua mundësia që në vitet 1970-1975, të punoja si punëtor në ndërmarrjen e ndërtimit të rrugëve në Fier. Por edhe këtu pas pak kohe nuk vonuan problemet. Gjatë një inspektimi në terren, gjatë punës, u takova rastësisht me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së rrethit Piro Gushon. Kaq u desh dhe dikush ngriti zërin. Si mundet që  Selami Morina, njeri me ‘’qëndrim të keq politik’’, të takohet me anëtarin e Komitetit Qëndror të PPSH. Ky ishte shkaku që më larguan përsëri nga puna. U ktheva përsëri në kooperativë, pavarësiht se vuaja nga shëndeti dhe për shkak të raportit mjekësor nuk kisha kryer edhe shërbimin ushtarak.

Por jeta vazhdon, thekson përsëri Selami Morina. Më duhej të ulja kokën e të punoja, ndërkohë që kisha krijuar edhe familje dhe natyrisht që tashmë kasha edhe përgjegjësi të tjera. Ndërkohë krahas punës dhe problemeve nuk u shkëputa asnjëherë nga librat dhe studimi. Kështu, pas përfundimit të Institutit Pedagogjik dy vjeçar ‘’Aleksandër Xhuvani’’ , në vitet 1960-1964, ku u titullova ‘’Mësues i Shkencave Biologjike dhe Gjeografike për Shkollat 8 vjeçare’’, vijova edhe një fakultet të dytë. Në vitet 1964-1973, kreva me korrespondencë kursin e plotë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Univeristetin e Tiranës, në degën Biologji-Kimi. Kështu u titullova edhe ‘’Mësues i Shkollës së Mesme’’. Gjatë viteve të studimeve mund të kujtoj me respekt shumë nga pedagogët tanë, që ishin jo vetëm ishin kompetentë në lëndët e tyre por ishin edhe njerëz korrektë dhe të ndërgjegjshëm. Nuk mund të lë pa shprehur mirënjohjen edhe për shokët. Mund të veçoj një emër, Pr. Dr. Et’hem Ruka, një nga personalitetet e sotme të arsimit dhe shkencës, i cili në atë kohë ishte student dhe më ndihmonte me libra dhe leksione. 

Ndërkohë që në sektorin e bujqësisë punova deri në vitin 1990, kohë kur nisën shdërrimet demokratike dhe unë u bëra menjëherë pjesë e këtyre proçeseve. Kështu, nisi një tjetër etapë që e ndryshoi rrënjësisht jetën time. Pas 25 vjetësh si punëtor krahu dhe i anashkaluar nga shoqëria më në fund ju ktheva jetës aktive ku pata edhe angazhimeve të rëndësishme. Si duket periudha e gjatë e viteve të persekutimit më kishte shtuar energjitë dhe otimizmin që edhe unë të jepja kontributin e mohuar.

Angazhimi im politik nisi që në themelimin e degës Partisë Demokratike në Fier, vijon të tregojë S. Morina. Ndërsa një nga detyrat e para që kam kryer në administratë ka qenë ajo në zyrën e organizimit, në Komitetin Pluralist të Rrethit. Ai u krijua në vitin 1991 dhe zëvendësoi Komitetin Ekzekutiv, deri në krijimin e strukturave të reja territorial-administrative. Në këtë institucion nisa të punoj në mënyrë korrekte duke bashkëpunuar poqësisht me të gjithë, të majtë dhe të djathtë. Mendoja se të gjithë vinin nga i njëjti sistem dhe të gjithë ishin nga pak bashkëfajtorë, pa përjashtim.  

Më pas, në vitet 1992-1997, kam qenë sekretar i Këshillit të Rrethit, anëtar i këtij këshilli për një periudhë 9 vjeçare si dhe për dy legjislatura me radhë, në vitet 2000-2003 dhe 2003-2006, kam qenë edhe anëtar i Këshillit të Bashkisë Fier. Ndërkohë që kam qenë pjesë edhe e grupit nismëtar që krijoi Shoqatën e ish të Përndjekurve Politikë, ku për shumë vite kam kryer edhe detyrën e nënkryetarit të saj.

Por dëshiroj të theksoj, se në të gjitha këto detyra dhe si nëpunës i shtetit, gjithmonë jam përpjekur të jem njeri i moderuar, thekson ai. Këtu më ka shërbyer edhe përvoja ime jetësore. Mund tju tregoj disa raste që ishin reminishencë e së kaluarës. I tillë ishte edhe ai që ndodhi diku në mesin e viteve 90’. Atëherë më kërkuan të ndërmjetësoja për rastin e një mësueseje nga Vidhishta, të cilën donin ta tranferonin në një shkollë, të një zone më të thellë. U revoltova me të drejtë por e ruajta qetësinë dhe etikën. Nuk mund të lejoja që në një kohë tjetër një vajzë të re të ndëshkohej për arësye politike si dikur. Kështu, ndërhyra dhe sot them me bindje të plotë se kam vepruar drejt në zgjidhjen e këtij problemi. Ndërkohë që ndihem krenar se ajo vajzë e dikurshme është sot një drejtuese e zonja e disa institucioneve arsimore.

Por një tjetër rast në të cilin kemi vepruar me shumë pjekuri dhe maturi ka qenë edhe ai i situatës dramatike të vitit 1997. Në atë kohë me inisiativën e Ipeshkvit katolik Hil Kabashi, organizuam, në dt 3 mars 1997, mbledhjen me pjesëmarrjen e partive politike, klerit, bashkisë, këshillit të rrethit dhe shoqatave të ndryshme, me qëllim vendosjen e qetësisë dhe normalizimin e situatës në rrethin e Fierit. Nga ky takim dhe pas shumë negociatash arritëm që me mirëkuptim të krijonim në datën 16 mars Komitetin e Shpëtimit Publik. Në këtë organizim, unë si përfaqësues i Partisë Demokratike do të zgjidhesha sekretar ndërsa kryetar i tij u zgjodh z. Petro Koçi, përfaqësues i Partisë Socialiste .

Për këtë rast ruaj edhe një dokument me vlerë, e shkëput rrëfimin e tij Selami Morina. Ai nxjerr nga dosja një fletë gazete, në të cilat lexojmë mesazhet e paqes, që drejtuesit e këtij komisioni i drejtojnë me këtë rast banorëve të Fierit.  

Kujtoj se ishte një një punë e jashtëzakonshme  që ky komitet zhvilloi për disa muaj, nis të tregojë përsëri ai. Me seli në godinën e prefekturës, Komiteti i Shpëtimit Publik,  ushtroi funksionin e strukturave shtetërore në një kohë kur ato funksiononin. Ndihem krenar që, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, njerëz atdhetarë, të ndershëm, trima dhe të përkushtuar, pjesëtarë të gjithë spektrit politik dhe shoqëror, zgjidhëm disa nga detyrat më jetësore si furnizimin me ushqime dhe karburante për Fierin. Po kështu, mbrojtëm jetën e qytetarëve, institucionet, shkollat, Bankën e Shtetit, etj, duke bërë që Fieri të mos kishte probleme dhe të shdërrohej në qendrën që furnizoi me produkte jetësore gjithë jugun e Shqipërisë.

Kam patur rastin që një gjë të tillë ta shpreh edhe gjatë ceremonisë së 20 vjetorit të Shkollës Murialdo disa vite më pare. Atje midis shumë të ftuarve mu dha edhe mua fjala përshëndetëse. Fola dhe shpreha mirënjohjen dhe respektin jo vetëm për inisiatorët e këtij proçesi pajtimi por edhe për kontributet e shumë njerëzve me të cilët bashkëpunuam në ato kohëra të vështira.

Ndërsa një përvojë e veçantë jetësore të cilën e provova në periudhën e fundit është ajo në SHBA, vijon të tregojë S. Morina. Në kontinetin e largët kam shkuar dy herë pasi atje banojnë familjarisht dy nga fëmijët e mi, të cilët janë integruar në jetën e atjeshme. Djali, Bujari, punon avokat ndërsa vajza, Fatmira, punon në një qëndër spitalore. Gjatë qëndrimit tim të parë që zgjati një vit, pata mundësinë të vizitoja disa qytete, të njihesha me shoqërinë e shqiptarëve, por edhe të angazhohem në disa aktivitete që organizonte Federata Vatra. Po kështu, arrita të komunikoja edhe me gazetën e tyre ‘’Dielli’’, e cila është një nga gazetat më të vjetra të shtypit shqiptar, në të cilën dikur kanë dhënë kontributin e tyre patriotë të shquar përfshirë edhe si Fan Nolin dhe Faik Konicën. ‘’Dielli’’ botoi edhe një profil dhe një intervistë timen për zhvillimet e Shqipërisë. Sinqerisht ju them, se u ndieva i vlerësuar por njëhkohësiht kostatova me keqardhje shoqërinë tone, e cila ndryshe nga ajo atje, vazhdon të jetë e mbyllur dhe të vuajë nga shumë paragjykime të së kaluarës.

Kështu duhet të them se jeta është plot të panjohura dhe zhvillime nga më të ndryshmet. Por njeriu duhet të mbajë një pozicion, atë të vetvetes dhe të jetë gjithmonë i drejtë, i matur dhe parimor. Përveç tyre duhet edhe durim, diplomaci dhe tolerancë. Ndryshe nuk arrin atje ku synon. Ky është edhe leksioni im i jetës sime që përpiqem t’ja përcjell edhe fëmijëve që jetojnë këtu, si Valbonës, Pëllumbit, Bekimit, familjeve të tyre, nipërve dhe mbesave.

Njeriu duhet të priret nga ambicja positive që të shkojë gjithmonë përpara me optimizëm, përfundon tregimin e tij jetësor Selami Morina.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje