Targa: Ja si i shënova Mustës me gjuajtje të ndaluar

Targaj rrëfen se nuk e ka pasur të lehtë të realizonte një gol “alla Panenka”, sepse kishte trajner një njeri autoritar si Fatmir Frashëri. Ai rrëfen për “Panorama Sport” se e kishte provuar edhe në stërvitje dhe ndonëse kishte shënuar gol, sërish e kishin urdhëruar që ta përsëriste penalltinë.

Z. Targaj, lexuesit duan të dinë kur ka ndodhur?

Në derbi, në “Qemal Stafa”. Ishte sezoni 1985-’86, muaji shkurt, luhej Dinamo-Partizani, turi çerekfinal i Kupës së Shqipërisë. E para me ne si pritës u mbyll 2-1 për Partizanin, me gola të Demollarit, Kushtës dhe Ramadanit. Në 90 minutat e kthimit realizoi Abazi, barazon Kaçaçi dhe Kuqi në 45- minutat e dyta i dha Dinamos fitoren në transfertë. Me golavarazh të barabartë 3-3, pas dy takimeve bashkë më shtesën, i erdhi radha pikës së 11 metrave. Siç i shihni nga emrat, të dyja skuadrat kishin lojtarë cilësorë.

Gjuajtja e Panenkes ne 76′ e cila me pas u kthye ne nje goditje penalltie te veshtire dhe fine, e ekzekutuar nga lojtaret me te mire te botes

Pse ai takim kujtohet edhe për penalltitë?

Sepse u ekzekutuan 14-të, si asnjëherë më parë, apo më vonë nëse nuk gaboj. Heroi ishte Perlat Musta, që priti tre, atë të Nun Koves, Ben Vilës dhe Imamit. Edhe Luarasi priti të Tit Ramadanit. Në atë takim për ne nuk luante Demollari dhe në përfundim fitoi Partizani 5-4 që u kualifikua. Kujtoj se kupën atë vit e fitoi 17 Nëntori, ndërsa ne dolëm kampionë.

Vjen pyetja kurioze, Mujo si Panenka…?

Unë si zakonisht do të gjuaja të parën. Në portë, nga drejtimi verior, ishte Musta, miku im dhe gjatë grumbullimeve në Kombëtare bënim garë me penalltitë. Perlati i gjuante mirë dhe në atë takim realizoi një të tillë edhe ai. Duke qenë portier, “ëmbëlsirën” në formë basti e fitonte gjithmonë, pra ma njihte mirë krahun. Zakonisht gjuaja fort në të djathtë të portierit.

E kishit eksperimentuar më parë?

Në ndeshjen e kontrollit në mesjavë, gjatë lojës e godita një të tillë dhe në portë ishte Luarasi. Por trajneri Frashëri dhe ndihmësi i tij Sejdini, më kritikuan. “Gjuaje mirë, të jesh më serioz”, më thanë, ndonëse panalltia përfundoi gol. Ata vendosën të përsëritej dhe më detyruan ta rigjuaj. Ndonëse si po më thoni ju, edhe Metani disa vite më parë po për kupë e paska ekzektuar një të tillë në Lezhë, por sinqerisht nuk kam ditur se një futbollist tjetër të kishte gjuajtur dhe shënuar në atë mënyrë.

Jeni te pika e penalltisë, gati për të goditur… Çfarë mendonit?

Teksa po shkoja me topin në dorë drejt pikës së bardhë, terreni ishte i rënduar dhe pa i thënë askujt në skuadër, madje as e mendonin, atë çast vendosa të godisja si Panienka. Mora vrull jo larg, Musta u hodh para kohe nga krahu që mendoi, ndërsa unë godita lehtë…

Topi në qendër të portës, pa forcë, me një hark të mesëm përfundoi në rrjetë. Sigurisht që të gjithë u habitën, vetëm arbitri Dhori Prifti jo, i qetë siç ishte, vijoi me goditjet e tjera, kur shënuan Jançe, Kushta, Abazi, nëse jam i saktë, se kanë kaluar shumë vite.

Si reagoi Musta dhe trajnerët tuaj?

Pas ndeshjes në korridor e pyeta Perlatin: “Jemi shokë, mos u mërzite”? “Aspak, përkundrazi, ne u kualifikuam”, m’u përgjigj, pasi i kishte pritur tre penallti. Ndërsa Frashëri, në dhomat e zhveshjes, duke qeshur më tha: “Ta kishe humbur më mirë, se te ty si kapiten, do të nxirrja gjithë inatin e të tjerëve…”.

E përsëritet në të tjera ndeshje?

Kujtoj se gjithçka më pas kaloi pa bujë, as dhe në media e TV nuk bënë ndonjë koment, ndonëse për të gjithë ishte surprizë. Ne u eliminuam, por atë ndeshje e sjell ndërmend gjithmonë edhe për gjuajtjen si Panienka, të cilën nuk e përsërita kurrë më. As me Dinamon, as me Kombëtaren.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje