AGRON, MOS U KTHE NË NJË SHPRESË TË KOTË

Nga Ermal Mulosmani – Agron Shehaj, ish deputeti më aktiv i Opozitës, kishte dhënën një intervistë urgjente, frikacake, ku përgënjeshtronte çdo lloj ambicie për t’u bërë Kryetar i Partisë Demokratike dhe shprehte bindjen se “një ditë do të vinte në pushtet me Lulzim Bashën Kryeministër”. Dhe nuk e mbyllte me kaq (do ishte shumë mirë ta mbyllte aty), por, vazhdonte me dedikimet e mirënjohjes për Kryetarin Basha si mirëbërësin e tij, njeriun që “i hapi dyert kur ai nuk ishte kurrkushi dhe e bëri deputet”.

Ishte zhgënjyes për herë të parë që kur e kam ndjekur nëpër media.  

Lulzim Basha nuk është bamirësi i Shehajt. Basha ka menduar që të freskojë Partinë e tij nga mamuthët që kishin zënë rrënjë e nuk shkuleshin prej andej. Në fakt jo edhe aq për të shpëtuar Partinë sesa veten e tij nga ambiciet e natyrshme të atyre…Kishte shumë nevojë të sillte njerëz të rinj, me koncepte të reja, të papërfolur, njerëz që kishin arritur diçka në jetë me shpatullat e tyre e jo të Kryetarit. 

Dhe sidomos njerëz që rrinë vasalë të bindur të tij në qerthullin e një mirënjohjeje të pakuptimtë. 

Lulzim Basha ndërtoi konceptin “Republika e Re” dhe dështoi. Dështoi se nuk mund të ndërtojë Republikën e Re një drejtues i vjetër, i konsumuar. Lulzim Basha do të jetë gjithmonë në sytë e njerëzve “Pasardhësi”, ai është peng i Sali Berishës, 21 Janarit dhe përfoljes për korrupsionin e Rrugës së Kombit. 

Prandaj dështoi.

Basha ishte njeriu më i lumtur në botë  ditën që deklaroi djegien e mandateve. Me siguri këndoi edhe himnin e bëri shqiponjën atë ditë. Djegia e mandateve rezultoi të ishte vendimi më i dëmshëm në kurriz të Partisë Demokratike. Unë e kam ditur qysh atëherë por shpresoja se nuk i di të gjitha….

Në fakt ishte krejt e kundërta. Basha nuk dinte asgjë.

Ai e la vendin me opozitën e Kujtim Gjuzit dhe ia dhuroi 61 Bashki Edi Ramës. 

Me dështimin e strategjisë së djegies së mandateve Lulzim Basha tregoi që nuk mendon më gjatë sesa  10 ditë. Nuk ka kohë për dështim tjetër. 

Partia është një organizatë politike që synon, përmes strategjive të caktuara, të bindë popullsinë se ka njerëzit dhe idetë më të mira për zhvillimin e një shteti. Në këtë koncept, ju Agron jeni një bamirës i zotit Basha. I dhatë atij një fytyrë të re dhe një deputet për të qenë. Koncepti i mirënjohjes në politikë është tmerrësisht bajat. Mirënjohës është (duhet të jetë) çdo demokrat (ose i djathtë) ndaj Kryetarit Basha që solli një deputet si ju në Partinë Demokratike. Në radhën e këtyre mirënjohësve jam edhe vetë.

Mirënjohja është një koncept i shenjtë dhe shumë i vlerësuar në raportet njerëzore. Kodi i mirënjohjes respektohet fort e nga të gjithë. Por, nëse mirëbërësi (zoti Basha në këtë rast) ju solli ju në kupolën e  PD-së që ju të rrini vasal i tij, atëherë, ka parë interesat e tij së pari. Dhe këtu nuk ka vend për mirënjohje.

Unë i kisha përmendë disa arsye pse ju z. Agron jeni zgjedhja e duhur. Janë aty, në shkrim, nuk po i përmend më. Lexojini edhe njëherë. I shërbejnë të djathtës, më shërbejnë mua dhe  shumë të tjerëve që e duam të djathtën. Militantët dhe dashamirët e Partisë duhet t’i lexojnë po ashtu. 

Unë kam arsye  të forta për të qenë pro Lulzim Bashës. Përveçse jam përkrahës historik i së djathtës dhe herë pas here votues i Partisë Demokratike, kam edhe mpleksje të tjera me z. Basha, familjare. U mata mirë kur e shkruajta shkrimin. Por, miqësia e lidhjet familjare vijnë anash kur bëhet fjalë për interesa kaq të mëdha.

Politika është shpresa e shumë njerëzve për ndryshim  e me shpresat e njerëzve nuk mundet të bëhen kompromise të vogla. Unë ju citova ju, diku, në një intervistë, ku ju thonit: “Unë si gjithë shqiptarët kam pakënaqësi nga politika. Dhe kur një gjë nuk më pëlqen unë i futem dhe e bëj vetë. Kështu jam mësuar”. 

Votuesit e Partisë Demokratike duhet të kuptojnë që me ju e kanë një shpresë në luftën ndaj Ramës. Edhe strukturat e Partisë duhet ta kuptojnë. Pashë diku që kishe marrë vetëm rreth 30% të votave nga Këshilli Kombëtar dhe kishe mbetur jashtë Kryesisë së Partisë. Kjo ishte zhgënjyese për mua, tregon që gjendja është akoma keq andej, e shkuara akoma paska peng të ardhmen. 

Por, mos u dekurajo, Albin Kurti ka një thënie të bukur “Do të vijë dita…”.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje