Fermerët: Mungesa e tregut dhe karburanti po na rrënojnë

Fier – Mungesa e politikave të tregut dhe çmimet e ulëta të prodhimeve bujqësore të stinës, po i çojnë drejt falimentimit fermerët e njësisë administrative të Frakullës në Fier.

Sefer Ferra, fermeri nga Kafaraj, prej 20 vitesh merret me kultivimin e perimeve të stinës. Ai ka marrë me qira 55 dynym tokë bujqësore, të cilën e ka mbjellë kryesisht me domate, speca, patëllxhane dhe shalqi.

Pavarësisht cilësisë së lartë të prodhimeve bujqësore bio, mungesa e tregut dhe çmimet e larta të pesticideve, karburantit, plugimit dhe frezimit të tokës e kanë rrënuar ekonominë e tij familjare. Megjithëse punojnë gjashtë pjesëtarë të familjes, fermeri thotë se është e pamundur të vazhdohet në këtë gjendje.

Sipas tij, fermerët e zonës së Frakullës përveç dëmeve të shpeshta nga përmbytjet, penalizohen edhe nga çmimet e ulëta të prodhimeve që vijnë nga vendet fqinje. Megjithëse nga viti në vit ekonomia e familjes Ferra dobësohet, kryefamiljari thotë se nuk do ndërpresë këtë aktivitet pasi ka bërë investime të mëdha dhe është e vetmja mënyrë jetese për familjen e tij.

Ky fermer kërkon ndihmën e shtetit për të dalë nga kjo gjendje e rëndë./t.ch

Be the first to comment

Lini një Përgjigje