Agron Shehaj: Ja si i gjej të dhënat për skandalet financiare të qeverisë Rama

Ish-deputeti i PD-së, Agron Shehaj ishte i pari që denoncoi skandalin me tenderin e Unazës së Re, skandal që “hëngri” kokën e një ministri. Por Shehaj nuk e la me kaq. Në pak muaj ai ka zbuluar të tjerë skandale me tenderat dhe aksionet e qeverisë.

Në një intervistë për gazetën Mapo ai tregon se si intuita e sipërmarrësit dhe informacionet që ka, e ndihmojnë që të zbulojë këto afera të qeverisë. “Shqipëria ka mundësi të mëdha ekonomike, por korrupsioni e ka lënë të prapambetur,” thotë ai. Shehaj i përgjigjet për herë të parë dhe pyetjes së disa portaleve nëse ai e sheh veten si rival i Lulzim Bashës në parti.

Zoti Shehaj, ju ishit i pari që publikuat dokumentet e tenderit për skandalin e ndërtimit të Unazës së re. A mendoni se largimi i ministrit Damian Gjiknuri nga detyra i jep përgjigje këtij skandali? Çfarë përgjigje prisni nga drejtësia për këtë skandal?

Afera e Unazës së Re është aferë korruptive dhe tentativë për pastrim parash. Ajo duhet hetuar penalisht dhe përgjegjësit duhet të dalin para dejtësisë. Asgjë tjetër nuk është e mjaftueshme.

Pas këtij skandali ju vijoni të denonconi skandale të tjera financiare që kanë lidhje me tenderat e qeverisë ose me koncensionet e saj. Si i siguroni këto të dhëna?

Unë jam sipërmarrës më një përvojë të pasur në shumë fusha të biznesit dhe kam fituar përvojë dhe njohuri në financat dhe menaxhim që më ka forcuar intuitën dhe analizën për të kuptuar nëse transaksione të caktuara apo kontrata apo sipërmarrje të caktuara janë të rregullta. Përtej kësaj, çdo gjë është rezultat i punës sistematike për të ndjekur zhvillimet, për të kuptuar dhe analizuar informacionin. Në të vërtetë, në botën e sotme të ndërlidhur dhe të teknologjisë ka shumë burime dhe shumë mundësi për të bërë transparencë për qeverisjen. Lufta kundër korrupsionit dhe kundër klientelizmit në ekonomi është prioritet i madh për mua, sepse mendoj që Shqipëria ka potenciale të mëdha për shkak të pozicionit gjeografik, natyrës, dhe burimeve të tjera të jetë një vend me ekonomi të zhvilluar. Ajo që e mban atë ende të varfër dhe prapambetur është korrupsion dhe vjedhja nga qeveritarët, të cilët kanë krijuar një ekonomi klienteliste, monopoliste, ku nuk ka asnjë liri ekonomike dhe asnjë mundësi për sipërmarrje të lirë. Ekonomia shqiptare nuk ka asnjë lidhje me kapitalizmin dhe tregun e lirë: është një ekonomi statiste, grabitqare, ku shteti dhe grabitja janë faktorët kryesorë që përcaktojnë suksesin në treg.

Denoncimet tuaja zbulojnë skandale të reja ditë pas dite, por ndërkohë Qeveria ka zgjedhur rrugën e heshtjes për të gjitha këto akuza që ju dhe PD-ja drejtoni. A do t’ia çoni drejtësisë këto dokumente?

Heshtja e qeverisë tregon se të gjitha këto afera kanë ndodhur në majë të qeverisjes. Vetëm Kryeministri Rama ka pushtetin për të penguar hetimin e dhjetëra e dhjetëra aferave korruptive. Në fakt është e paimagjinueshme të mendohet se korrupsioni i shfrenuar dhe kapja e shtetit në Shqipëri ka ndodhur duke patur një Kryeministër të ndershëm. E kundërta është e vërtetë: kryeministri është burimi kryesor i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga interesat private dhe krimi.

Çfarë do të bëjë PD-ja kur të vijë në pushtet me koncensionet e dhëna nga Rama? Do të hetohen, do të anulohen? A ka një strategji për këtë?

Zoti Basha ka bërë të qartë dy gjëra: 1. Që të gjitha konçesnionet, kontratat e mëdha publike dhe lejet e ndërtimet do të auditohen financiarisht dhe hetohen penalisht duke ndjekur burimin e parasë; dhe 2. Auditimit dhe hetimit do t’i nënshtrohen pasuritë dhe transaksionet e të gjithë personave të përfshira në dhënien e këtyre kontratave, si punonjës privatë ashtu edhe publikë.

Do të hetohen edhe ndërtimet?

Duhet të hetohet të gjitha ndërtimet që po ndodhin në mes të Tiranës dhe në bregdet. Ato janë të financuara kryesisht nga para të pista, direkt apo indirekt. Nëse në një ekonomi hyn paraja e pisët nga ajo largohet paraja e ndershme. Pra, ikin investitorët e huaj dhe sipërmarrsit e ndershëm dhe inovatorë vendas e të huaj, dhe vendin e tyre e zënë “sipërmarrësit” me paratë e krimit, qëllimi i të cilëve nuk është të krijojnë, të ndërtojnë, të prodhojnë, të përmirësojnë produktet dhe shërbime, por të qarkullojnë dhe ligjërojnë paranë e tyre dhe të kapin politikën për të siguruar pandëshkueshmërinë. Si rezultat falimenton ekonomia dhe politika.

Ju thoni se do të bëni këto gjëra kur të rrëzoni Edi Ramën dhe të vini në pushtet, por ju nuk po vini në pushtet dhe për këtë gjë PD-në po e sulmojnë?

Partia Demokratike dhe Lulzim Basha janë ndeshur këto gjashtë vjet me situata shumë të vështira dhe është përballur me një front të tërë në mbrotje të Edi Ramës dhe aktiviteteve të tij kriminale. Vendimet e PD-së mund t’i diskutojë kush të dojë, por ka dy merita që nuk mund t’i mohohen Lulzim Bashës dhe PD-së. E para, është se PD ka zhviluar një luftë të pandërprerë kundër të keqes, shumicën e kohës e vetme, shpesh e shpërfilllur dhe e sulmuar, dhe ka arritur rezultate të jashtëzakonshme për të informuar, vetëdijësuar, denoncuar dhe për t’i bërë rezistencë aktiviteteve kriminale të qeverisë. Nga dekriminalizimi i politikës me figura të krimit, denoncimi dhe lufta kudnër drogës, tek lufta kundër korrupsionit dhe vjedhjet skandaloze me koncesione dhe kontratat publike. Së dyti, në këto përpjekje, udhëheqja e lartë e PD-së, në rradhë të parë Lulzim Basha, kanë patur kurajon të marrin vendime të vështira dhe jopopullore, madje duke rrezikuar karrierën politike për t’i shërbyer interesit publik. Vendimet për ngritjen e çadrës, për dorëzimin e mandatave, për mosfutjen në zgjedhje kanë vendime shumë të vështira, që kanë kërkuar kurajo dhe përgjegjësi të madhe për t’u marrë. Pavarësisht, vlerësimeve të ndryshme mbi këto vendime të PD-së është e padiskutueshme se në sajë të tyre regjimi i Edi Ramës është duke falimentuar.

Ju thoni që Lulzim Basha ka marrë vendime kurajoze që i kanë shërbyer interesit publik, por ndërkohë atë e kritikojnë madje ka zëra që kanë kërkuar largimin e tij. Madje në një artikull të djeshëm një gazetar kishte hedhur emrin tuaj si pasaardhës të mundshëm të tij?

Unë mbështes pa asnjë rezervë Lulzim Bashën dhe jam i bindur se PD do të vijë në pushtet nën drejtimin e tij. Me Lulzim Bashën kryeministër do të ndërmerret një transformim i thellë i ekonomisë për të kthyer lirinë e tregut, konkurrencën e ndershme dhe mundësitë e sipërmarrjes në Shqipëri. Nga ana personale, unë jam në politikë falë Lulzim Bashës, i cili më hapi dyert e Partisë Demokratike dhe më mundësoi të bëhesha deputet pa pasur asnjë kontribut të mëparshëm në politikë. I jam mirënjohës për këtë besim dhe nga ana ime i kam dhënë mbështetjen time modeste gjatë këtyre dy viteve. Shpresoj shumë që me aktivitetin tim t’i kem shërbyer sa më shumë qytetarëve, interesit publik dhe Partisë Demokratike.

Meqë po flisni për dhunën ndaj biznesit, qeveria së fundmi ka ndërmarrë një aksion që e quan luftë kundër evazionit dhe informalitetit. Ju keni kritikuar ashpër veprimet e qeverisë. Keni ndonjë koment për këtë gjë?

Aksioni i qeverisë nuk është luftë kundër informalitetit, por dhunë për nënshtrimin e biznesit. Është edhe një dhunë për të nënshtruar psikologjikisht shqiptarët nga Edi Rama, për t’u treguar atyre se ai është zot, ai është ligji, ai është shteti dhe e vetmja mënyrë është nënshtrimi ndaj tij. Nëse do të donte të luftonte evazionin, Edi Rama do përqendrohej tek bizneset kryesore që bëjnë evazion. Evazionin e bëjnë importuesit e naftës, importuesit e duhanit dhe alkollit dhe kafesë, që bëjnë kontrabandë dhe nuk paguajnë akzizë; e bëjnë ndërtuesit që shesin me çmime fiktive; e bëjnë kompanitë farmaceutike që fusin ilace të skaduara apo fallco; e bëjnë kompanitë koncesionare. Aksioni i fundit është një krim ndaj Vlorës dhe bregut sepse bëhet në mes të sezonit ku shumë biznese sigurojnë të ardhurat e gjithë vitit. Dhe është realisht një akt kriminal.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje