Cili det e lag Vlorën, Adriatiku apo Joni?

Nga Ilirjan Gjika – Në antikitet kufiri ndarës midis Adriatikut dhe Jonit ishte diku pranë qytetit të Durrësit të sotëm. ‘’Epidamni është një qytet që gjendet në anën e djathtë kur hyn në gjrin e Jonit. Pranë tij banojnë barbarët taulantë…’’, shkruan në shkrimet e tij, ‘’Babai i Historisë’’: Herodoti.


Përveç tij janë një sërë autorësh antikë që e përmendin këtë fakt si Pausania, Lukiani, Aristoteli, Klaud Eliani, Vib Sekuestri, Foti, Theofrasti, etj. Interesante janë edhe të dhënat që na jep mitologjia. Ato kanë të bëjnë me emrin e detit Jon. Sipas saj qyteti i Durrësit të sotëm u quajt Epidamn prej themeluesit të tij. Bija e Epidamnit, Melisa nga lidhja e saj me Poseidonin lindi Dyrrahun. Prej këtij të fundit lindi Joni.
Joni u vra nga Herakliu i cili e hodhi trupin e tij në det. Kështu nga kjo ngjarje deti nisi të emërtohej me emrin e tij: Jon.
Ndërsa sot gjithçka është ndryshe. Kufiri ndarës midis dy deteve është zhvendosur më në jug. Kështu segmenti imagjinar Karaburun-Otranto përbën vijën ndarëse midis Adriatikut dhe Jonit. Pra, Vlora dhe gjiri i saj lagen nga ujërat e detit Adriatik, ku në brigjet shqiptare, vija ndarëse midis tij dhe Jonit merret kepi i Gjuhëzës në gadishullin e Karaburunit.
Ngatërresa ndodh sepse Joni identifikohet shpesh me Rivierën Shqiptare e cila quhet rëndom edhe si Riviera e Jonit. Ndërkohë që Riviera nis në jug të qytetit të Vlorës në Ujin e Ftohtë. Pra brigjet e Rivieres lagen nga dy dete: Adriatik dhe Jon, ndersa Vlora dhe gjiri i saj lagen vetem prej Adriatikut.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje