Arrestime për sulmet mbi KZAZ në Shkodër e Tropojë

Shkodër – Ka disa të arrestuar pas ngjarjes së ndodhur në Shkodër, kur punonjës të Bashkisë së qytetit dhe mbështetës të Partisë Demokratike sulmuan ambientet e shkollës “Shejnza Juka”, e cila shërben si KZAZ në kryeqendrën e veriut.

Materialeve që do të përdoreshin në zgjedhjet e 30 qershorit për procesin zgjedhor iu vu flaka, duke detyruar nderhyrjen e zjarrfikëseve për shuarjen e zjarrit.

Përplasja mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit kanë zgjatur rreth 30 minuta, ndërkohë që pas përplasje mbështetësit e PD-së u larguan drejt Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi”, ku ndodhet KZAZ numër 2.

Policia e Shkodres ka reaguar me një sërë arrestimesh mëngjesin e sotëm. Deri me tani janë ndaluar dhe gjenden në paraburgim shtetasit Adi Garuci, Aleks Ndoj, Alfred Nikolli, Gentjan Bytyçi. Ndërkohë që në paraburgim po dërgohet këtë mëngjes edhe Orlando Thepi.

Mes te ndaluarve jane dy police bashkiake, nje specialist zyre dhe qytetare mbeshtetes te PD.

Policia e Shtetit njodtoi se pas incidentit të djeshëm në KZAZ e Tropojës, ku një grup personash dëmtuan materialet zgjedhore, është bërë arrestimi në flagrancë i 7 shtetasve.

Ata akuzohen për vepra penale që kanë të bëjnë me kundërshtim të punonjësve të policisë, dëmtim të materialit zgjedhor, si dhe organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme.

Ndërkohë janë proceduar në gjendje të lirë 5 persona si dhe jane shpallur në kërkim 6 të tjerë.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, datë 18.06.2019, ku disa shtetas kanë dëmtuar materialet zgjedhore në KZAZ Nr. 09, Bashkia Tropojë,  tek Muzeu Historik, mbas veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë, arrestuan në flagrancë 7 persona, konkretisht;

-A.G., 31 vjeç, banues Bajram-Curri-Tropojë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-I.M., 50 vjeç, banues në Bujan, Tropojë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-N.N., 32 vjeç, banues në Llugaj, Tropojë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-H.Gj., 53 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-B.P., 34 vjeç, banues në Fierzë, Tropojë,  për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-A.G., 26 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë. Arrestimi i tij u bë pasi ka thyer vendimin e Gjykatës së Rethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka qenë me masën e sigurisë arrest shtëpie.

-A.G., 28 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje