Manjani/ Zgjedhjet: Nga shkarkimi i Presidentit tek Kushtetuesja

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani thotë se vendimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta për të shfuqizuar dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit është gjëja e duhur. Manjani thotë se Presidenti si përfaqësues i unitetit të popullit s’mund të lejojë përçarje. Nga ana tjetër ai komenton dhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama që këmbëngul se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor.

“E sforcuar por gjëja e duhur, ishte zgjidhja që dha më në fund Presidenti i Republikës. Ka ndodhur dhe më parë ç’dekretimi i datës së zgjedhjeve, por në kuadër të një proçesi politik. Ndaj them ‘e sforcuar’. Por absolutisht gjëja e duhur. Nuk mund të zbatohej një dekret për mbajtje zgjedhjesh, pa zgjedhje. Nga ana tjetër, Presidenti është përfaqësues i unitetit të popullit dhe smund të lejojë që ngjarjet e dekretuara prej tij të çojnë në përçarje. Tani është momenti të fillojnë konsultimet për një datë të re. Shpresoj që këto konsultime të prodhojnë dhe dialogun e munguar.
Deklaratat e tjera kërcënuese të tipit që “ne do i bëjmë zgjedhjet edhe pa dekret”, shpresoj të jenë ende të nxituara…. Ende më ngjajnë si thirrja që ju bëri policëve në 2017 hiqini kapelet e bëni fushatë për PS… Shpresoj vërtetë të jenë të nxituara për konsum militantësh… Ende nuk e mendoj dot Kryeministrin si Puçist…”, shkruan Manjani.

Manjani 1

Më tej ai sqaron në “Facebook” se ku e bazon Kreu i Shtetit ç’dekretimin e zgjedhjeve, duke sjellë dy precedentë nga e kaluara, një në 2007 nga ish-presidenti Alfred Moisiu dhe një në 2017 nga ish-presidenti Bujar Nishani.
“Pyetja se ‘cili është neni që bazohet ç’dekretimi i zgjedhjeve për të caktuar një darë tjetër’, ka këtë përgjigje:
Tek i njëjti nen ku janë bazuar Presidentët e mëparshëm Moisiu (2007) dhe Nishani (2017), të cilët zyrtarisht kanë bërë të njëjtën gjë”, shkruan ai.

Manjani 2

Ish-ministri sjell edhe përgjigjen e Kushtetutës për këtë rast.
“Ja dhe përgjigja e pyetjes si shkarkohet Presidenti i Republikës dhe në ç’raste.
Ky është neni 90.2 dhe 3 i Kushtetutës”, shkruan Manjani.”Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të anëtarëve të tij.
Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”, thuhet në Kushtetutë.

Kushtetuta Manjani (1)

Por sa i përket krijimit të Gjykatës Kushtetuese brenda një dite, Manjani shkruan: “Ja dhe përgjigja e pyetjes ‘a mund të krijohet të hënën Gjykata Kushtetuese’?
Ky është neni 125 i Kushtetutës i miratuar me konsensus në 22 korrik 2016. Ky është nen i reformës në drejtësi…”
“Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.
Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar.
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi”, parashikon Kushtetuta..

Kushtetuta Manjani (2)

Be the first to comment

Lini një Përgjigje