SHÇBA: Disa policë janë përfshirë në trafikun e kanabisit

Në trafikun e drogës dhe kultivimin e saj janë përfshirë punonjës të Policisë së Shtetit. Hetime për disa funksionarëve deri tani kanë nisur në Shkodër dhe Vlorë nga SHÇBA pasi dyshohen se janë përfshirë në raste të rënda abuzive.

Këtë fakt e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i SHÇBA-së, Adriatik Ago. Sipas tij Ministria e Brendshme po ndërmerr masat për parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të marjuanës. Sipas informacioneve që ka SHÇBA, në këto aktivitete janë përfshirë edhe punonjës të policisë së Shtetit.

Ne fjalën e tij për mediat Ago tha: “Ministria e Brendshme përpara një muaji bëri një vlerësim të situatës së kultivimit të kanabisit në shkallë vendi dhe po e trajton me seriozitet këtë fenomen. Në planin e marrjes së masave për parandalimin e marijuanës është përfshirë edhe SHÇBA. Ministria e Brendshme ka planin e saj të masave, Policia e Shtetit dhe ajo lokale ka të sajin. SHÇBA është e përfshirë në këtë proces dhe ka të dhëna që punonjës policie janë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike apo kultivimin e saj. Do të bëjmë një takim me këto nivele që të kontrollojmë detyrat e vendosura nga titullari i Ministrisë së Brendshme. Jemi të hapur për të hetuar ndaj çdo punonjësi policie dhe kemi informacione. Në disa raste kemi nisur hetimet dhe në disa të tjera, pritet që të nisin. Hetime po zhvillohen në Shkodër dhe Vlorë, në lidhje me rastet e abuzimeve nga funksionarë të ndryshëm të Policisë së Shtetit”.

Ditët e fundit janë raportuar sekuestrime të disa parcelave të reja të kultivimit të kanabisit në Pukë dhe Tiranë. Më herët Ministri Lleshaj caktoi datën 15 qershor si afatin e fundit që ka policia për tu siguruar se territori do të jetë pastruar nga mbjellja e bimëve të kanabisit. 

Be the first to comment

Lini një Përgjigje