“Ky ka qenë sezoni im më i mirë, veç 2 ndeshjeve”

Lojtarët e Barcelonës po kalojnë kohë të vështirë. Humbjet e dhimbshme ndaj Liverpoolit dhe Valencias ka bërë që katalunasit të përballen me kritikat më të mëdha në vitet e fundit.

Një nga lojtarët që është vërshuar nga kritikat, është mbrojtës i majtë, Jordi Alba, duke parë gabimet e tija në “Anfield”. Të hënën, ai iu përgjigj kritikave në kampin e stërvitjeve në “Feixa Llarge”.

“Është një moment i vështirë për mua dhe për të gjithë,” shprehet ai. “Si gjithmonë në karrierën time, askush nuk më ka falur asgjë. Tani duhet të rikuperohem fizikisht dhe mendërisht”.

Ai shtoi se kishte dashur të përfundonte sezonin në një mënyrë tjetër dhe duke fituar më shumë tituj, që në fund fituan vetëm La Ligan.

“Do të doja ta kisha përfunduar sezonin në mënyrë tjetër, duke fituar tituj. Jemi mësuar të fitojmë gjithnjë, por historia të tregon se nuk është e thjeshtë. Tani duket sikur vetëm titulli i La Liga-s është një sezon i keq. Ëndrra ishte të fitonim tre trofe, por nuk ishte e thënë. Në aspektin personal, ka qenë sezoni më i mirë i karrierës time, përjashto dy ndeshje”, u shpreh Alba.

Gjithsesi, Alba është i lumtur me formën e tij sezonin që lamë pas, i cili e vlerëson si më të mirin në karrierë, përveç dy ndeshjeve.

 “Mundohem të jap gjithçka në fushë, por në disa momente nuk isha më i miri, është njerëzore. Unë nuk mund të fitoj të gjitha duelet apo të jem perfekt. Të gjithë njerëzit bëjnë gabime dhe unë nuk jam i turpëruar për këtë”, tha për fund mbrojtësi i kombëtares spanjolle.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje