SKUTHËRIA E ASTRIT PATOZIT

Nga ERMAL MULOSMANI – Lajmi politik i ditës së sotme ishte sesi një humorist i kishte fituar zgjedhjet presidenciale në Ukrainë. Dhe jo fitore dosido por me shumicë absolute, dërrmuese, ndaj Presidentit në fuqi,  Petro Poroshenko!

13,5 milion mori humoristi ndërsa 4,5 milion Presidenti Poroshenko! Pra, 9 milion vota më shumë.

Ishte ky,  një rezultat edhe më i thellë se sa diferenca në humor mes komedianit Zelensky dhe Poroshenkos.

Më kaploi njëfarë imagjinate se kush është Zelensky ynë dhe si mund të ishte rezultati me Liderin tonë Suprem. Më erdhi një herë në mendje Agron Llakaj pastaj Sajmir Kodra si sfidues. Por shpejt e kuptova që ne kemi në krye fiks komedianin më të fortë në vend, jemi një hap para Ukrainës! Dhe në Opozitë kemi fiks njeriun më të qeshur të mundshëm.

Pas këtij konstatimi u ula dhe shkruajta një shkrim me titull “Lulzim Basha nuk duhet të qeshë më”! Për të theksuar gjendjen tragjike ku gjendet Opozita në Shqipëri dhe seriozitetin që duhet të burojë nga kjo gjendje.

Por, zhvillimet në vend erdhën duke u bërë edhe më të zymta në orët e mesditës.  Astrit Patozi do jetë lideri i Partisë së re që do të krijohet në Opozitë! Pra, tashmë, kemi një Opozitë me një lider që qesh shumë dhe një tjetër, surrogate, me një lider që nuk qesh kurrë. Kam një orë që përpiqem të gjej një plan të Astritit duke qeshur. Por jo. Serioziteti i zymtë pllakos Astritin në çdo dalje televizive.

Veprimi i Astrit Patozit është skuthëri e pastër! Sepse po përpiqem ta spjegoj më poshtë.

 Kam menduar gjithmonë që sjellja e Lulzim Bashës ndaj një grupi të figurave të mirënjohura të Partisë Demokratike ka qenë frikacak në thelbin  e tij.  Dhe në këtë grup bën pjesë pa  dyshim Astrit Patozi por edhe Jozefina, Ridvani, Genci, Imami, Majlinda etj etj.  Kur ndodhi ky mënjanim, mendova që këto figura duhet të luftonin për karrierën e tyre në PD dhe, në rast të mënjanimit, të vazhdueshëm e pa mundësi  kompromisi, të themelonin Partinë e tyre. Dhe do të gjenin shumë përkrahës sipas meje. Por kjo nuk ndodhi kurrë!

Ata hëngrën dy a tre dreka bashkë dhe vendosën të shihnin interesat e veta. Majlinda u rregullua, Ridvani po ashtu.

Dhe e lanë Lulzim Bashën të vazhdojë me grupin e  vet rrugën e nisur. Pa i dalë përballë me elektorat por me deklarata shtypi.

Deri sot.

Kur Edi Rama me politikat e tij arrogante, me korrupsionin e paskrupullt e të kapur me presh në dorë, me vjedhjen e zgjedhjeve të dokumentuar me përgjime, me kanabizimin e Shqipërisë dhe kriminalizimin e politikës  detyroi çdo opozitar në Parlament të dorëzojë mandatet e të braktisë Parlamentin.

Një veprim që nuk dihet sesi do të shkojë dhe që, gjasat janë të jetë një veprim I pamenduar mirë…

Ndërkombëtarët kanë dhënë shenja të mbështetjes së pushtetit dhe ndëshkimit të aksionit opozitar. Pushteti nuk ka dhënë asnjë shenjë tërheqjeje për dialog. Madje ka filluar të nxisë deputetët rezervistë të zënë vendet e lëna bosh nga kolegët  e formacionit të parë. Zgjedhjet lokale po afrojnë dhe Kryeministri ka nevojë si kurrë më parë një Opozitë, qoftë edhe për formë.

Grevëthyesit parlamentarë të dorës së dytë fituan sot një violinë të parë. Në ditën më të zezë të opozitarizmit në Shqipëri dikush kërkon të fitojë pushtet politik!

Dhe ky është një veprim prej skuthi, prej tinzari, frikacaku. Shpresoj dhe uroj të jetë pa të ardhme. Unë mund të isha votuesi i Astrit Patozit nëse do e formonte Partinë e tij vite të shkuara. Por nuk do të jem kurrë më votues i tij. Një skuth nuk mund të jetë kurrë lider!

Opozita ka nevojë si kurrë më parë të unifikojë qendrimet. Rruga është tashmë e pakthim mbrapa. Bojkoti duhet çuar deri në fund. Le ti marrë Edi Rama 61 bashkitë e Shqipërisë. Le të qeverisë pa Opozitë. Tërheqja nga bojkoti, përsëritja e Majit 2017 është vdekja përfundimtare e opozitarizmit!

Grevëthyesit janë vetëm shpëtim në afat të shkurtër. Ata do të turpërohen nga veprimi i tyre i sotëm.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje